Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO intervistohet mbi ndërtimin e qendrës multifunksionale brenda parkut të Butrintit dhe zbulohet një version ndryshe nga ai i paraqitur nga ministrja Mirela Kumbaro.
Thellohet skandali i dhënies së lejes nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e një qendre multifunksionale brenda Parkut Kombëtar të Butrintit shpallur nga UNESCO trashëgimi botërore. Të shtunën ministrja e kulturës Mirela Kumbaro deklaroi se punimet që po kryhen në Butrint janë konsultuar me UNESCO.
Por në një intervistë Dr. Mechtild Rössler, Drejtoreshë e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, pohon të kundërtët e deklarimit të ministers Kumbaro. E ndërsa punimet kanë nisur më 2 Tetor 2017 me lejen e institucionit të ministers Mirela Kumbaro, drejtoresha e UNESCOS deklaron se për atë që po ndodh në Butrint është njohur vetëm në fund të javës së kaluar dhe ka kërkuar informacion shtesë nga institucionet shteterore shqiptare më 9 Tetor 2017, pra dy ditë pasi ministrja Kumbaro deklaroi se ishte konsultuar me UNESCO-n. Duket se Shqipëria është duke konsumuar një skandal botëror me Butrintin.
Ministria e Kulturës në Shqipëri ka dhënë leje për ndërtim afër asaj që njihet si Acropolis në brendësi të Parkut Kombëtar në Butrint. (fotot bashkëlidhur). Bëhet fjalë për ndërtimin e një qendre multi funksionale e cila besohet nga ekspertët e fushës të jetë një kafene, e cila do të menaxhohet prej një kompanie private e specializuar në shitjen e produkteve të sallamit, pa patur asnjë eksperiencë në menaxhimin e zonave të shpallura trashëgimi botërore sic është Butrinti. A është UNESCO e shqetësuar nga ky zhvillim?
Në vëmendjen tonë kanë ardhur disa artikuj nga media. Ne kemi kërkuar informacion shtesë më 9 Tetor 2017 nga autoritetet kombëtare përgjegjegjëse për ruajtjen e kësaj Pasurie Botërore nëpërmjet Delegacionit Permanent të UNESCO në Shqipëri.
Donim të dinim nga ana juaj nëse është e drejtë që Ministria e Kulturës në Shqipëri të japë leje për ndërtim brenda Butrintit dhe a është kjo pjesë e planit menaxherial?
Sipas konventës së ruajtjes së Trashëgimisë Botërore është përgjegjësi e Shtetit Shqiptarë si një vend nënshkrues i konventës për të vlerësuar dhe u siguruar që brenda Butrintit një Trashëgimisë Botërore mos të ndodhë asnjë zhvillim që ka impakt në atë që njihet si vlera universale ku përfshihen integriteti, autenticiteti për të cilat Butriniti në vitin 1992 u fut në listën e Trashëgimisë Botërore.
Ministrja e Kulturës të shtunën i tha gazetares së Report TV se “ndërtimi që po kryhet është konsultuar me UNESCO”. A është kjo e vërtetë?
Qendra e UNESCO-s për për Trashëgiminë Botërore është njoftuar rreth aktivitetit për të cilin ju pyesni në fund të javës së shkuar. Ne më 9 Tetor 2017 këmi dërguar një letër tek autoritetet kombëtare shqiptare përgjegjëse duke u kërkuar më shumë informacion të detajuar për këtë projekt.
Nga investigimi në terren i gazetarëve duket qartë se atje nuk është duke u kryer asnjë kërkim arkeologjik afër zonës ku është duke u ndërtuar qendra multifunksionale. Ndërkohë nga pamjet filmike duket qartë se zona ku po ndërtohet është me shumë rëndësi pasi aty ndodhet Acropolis ku asnjëherë më parë nuk janë ndërmarrë gërmime. A duhej Ministria e Kulturës të jepte aprovimin për një ndërtim të tillë pa patur një vëzhgim arkeologjik?
Siç edhe e citova më sipër Artikulli 4 i Konventës së Trashëgimive Botërore thotë se është detyra e shteteve për të siguruar, mbrojtur, ruajtur dhe treguar brezave të ardhshëm vlerat kurturore të trashëgimisë që ndodhen në territorin e këtij shteti. Ndikimi specifik i këtij projekti në vlerën universale që ka Butrinti në veçanti atë të autenticitetit, integritetit të shtresave arkeologjike duhet të rishikohet me kujdes nga Qendra e Trashëgimisë Botërore në UNESCO përfshi Trupin Këshillues ICOMOS bazuar në informacionin dhënë nga shteti që ka firmosur konventën në përputhje me paragrafët 172 dhe 174 të Rregullave Operacionale që aplikohen në vendet e shpallura Trashëgimi Botërore.
Informacionet që vinë nga terreni sugjerojnë se Ministria e Kulturës mund të largojë banorët e zonës të cilët prej 12 vitesh shesin punime artizane tek vizitorët në një zonë ndërtuar në vitin 2003 si pjesë për të integruar komunitetin me kulturën e kësaj trashëgimije. Si pasojë 33 familje nuk do të mund të shesin pasi Ministria e Kulturës i ka dhënë leje një kompanie pa eksperiencë të ndërtojë një qendër multifunksionale. A e promovon UNESCO një veprim të tillë kundra këtij komuniteti lokal?
Një përfshirje e fortë e komuniteteve lokale në mbrojtjen dhe menaxhimin e pronave të Trashëgimisë Botërore është një bazë e rëndësishme për të garantuar ruajtjen afatgjatë të vendeve të Trashëgimisë Botërore në mbarë botën. Neni 5 i Konventës së Trashëgimisë Botërore thekson që çdo shtet nënshkrues, duhet të përpiqet të miratojë një politikë të përgjithshme që synon t’i japë trashëgimisë një funksion në jetën e komunitetit. Prandaj, UNESCO promovon aktivitete rreth vendeve të Trashëgimisë Botërore që do të ndihmonin komunitetet lokale që të përfitonin nga industria e turizmit, duke përfshirë edhe punimet e zejtarisë dhe zhvillimin e përgjithshëm rajonal. Për rastin specifik të Butrintit do të vlerësohet me kujdes se cilat mekanizma janë në vend për ndarjen e përfitimeve me komunitetin.
Si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO a duhet të ketë një plan menaxhimi për Butrintin?
Po, sipas nenit 106 të Udhëzimeve Operacionale për zbatimin e Konventës së Trashëgimisë Botërore, secila pronë e Trashëgimisë Botërore duhet të ketë një plan / sistem të përshtatshëm të menaxhimit.
Nga informacionet që disponojmë kemi mësuar se plani menaxhues hartuar në vitin 2000-2005 nuk është rinovuar. Pra ka 12 vite pa një plan të tillë. A ju shqetëson kjo situatë?
Një Mision Këshillues Ndërkombëtar i UNESCO / ICOMOS u zhvillua në vitin 2012 në Butrint dhe bëri një numër rekomandimesh duke përfshirë nevojën për të zhvilluar një Plani të Integruar të Menaxhimit që merr parasysh vlerën e shkëlqyer universale të Butrinit , si dhe vendosjen natyrore të kësaj Trashëgimie Botërore. Një draft i parë është shqyrtuar nga ICOMOS International në vitin 2013 dhe Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s aktualisht është duke pritur një version të rishikuar të planit të menaxhimit që do të dorëzohet nga Ministria e Kulturës.
/Shqiptarja.com/