Pavarësisht protestës së banorëve të Astirit, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës, nuk e ka ndalur punën për prishjen e ndërtimeve pa leje në lotet 2 dhe 3 të Unazës së Madhe. IMT-ja ka prishur pasditen e sotme një ndërtese që ka shërbyer si gomisteri, ndërkaq janë prishur edhe disa objekte të tjera pa leje.
Gjithashtu, IMT dhe ndërmarrjet e tjera të Bashkisë së Tiranës kanë bërë edhe zhvendosjen e materialeve inerte të të gjitha objekteve që janë prishur gjatë këtyre ditëve.
Me prishjet e ditës së sotme numri i ndërtimeve pa leje që janë prishur në Unazë ka arritur në mbi 30.