Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje edhe në burgun e Durrësit, ku vuajnë dënimin disa figura të njohura politike, mes tyre kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ish-ministri Ilir Beqaj dhe ish-deputeti socialist Jurgys Çyrbja.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara, niveli i ujit ka arritur deri pranë gjurit, duke përfshirë oborrin dhe katin e parë të institucionit penitenciar. Situata ka detyruar autoritetet të ndërhyjnë për menaxhimin e emergjencës dhe largimin e ujit nga ambientet e burgut.
Në vendngjarje është parë edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili ka shkuar personalisht për të ndjekur nga afër situatën, i veshur me çizme gome, ndërsa po monitorohen punimet për normalizimin e gjendjes.
Problem serioz paraqitet edhe rruga që të çon drejt burgut, e cila është përmbytur plotësisht dhe është kthyer në një “lumë”, duke vështirësuar qarkullimin dhe aksesin e mjeteve.
Autoritetet bëjnë me dije se po punohet intensivisht për pastrimin e ujit dhe rikthimin e funksionimit normal të institucionit, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.










