Emërimi i një 24-vjeçari në një nga postet drejtuese të institucionit më të rëndësishëm portual të Durrësit ka hapur debat në qarqet politike dhe administrative.
Ditën e djeshme u bë publik fakti se posti i zv/drejtorit të përgjithshëm në Autoritetin Portual Durrës i është besuar Rubin Rredhit, një i ri nga Lushnja, i diplomuar për Juridik.
Sipas burimeve, emërimi është kryer së fundmi nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Rredhi vjen nga një familje me profil të qartë politik. Ai është djali i ish-kryetarit të komunës Remas nën siglën e Partisë Demokratike dhe vëllai i Elizabeta Rredhit, kandidate për deputete e Partia Demokratike e Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Kjo e fundit në postimet në rrjetet sociale, ka postuar foto me drejtuesit më lartë të PD-së, përfshirë nënkryetarin e PD-së dhe deputetin e Durrësit Oerd Bylykbashi dhe deputeten Albana Vokshi.
Elizabeta Rrethi ishte një nga kandidatet më të votuara në primaret që u mbajtën brenda PD-së përpara zgjedhjeve të 11 majit në Qarkun e Fierit, ku mori 492 vota. Por ajo hoqi dorë nga kandidimi, pasi nuk u përfshi në listat e mbyllura.
Kujtojmë që në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi thellë në Qarkun e Fierit, ku mori 12 nga 16 mandatet, ndërsa demokratët u mjaftuan me 4 deputetë.











