Nga Ilva Tare
Ka udhërrëfyes dhe të paudhë që do të ndikojnë në marrëdhënien e re, ku pritet të hyjë Shqipëria me Bashkimin Europian. Hapja e negociatave me vendin tonë është një nga hapat më të rëndësishëm për integrimin. Të mbetur pas Serbisë dhe Malit të Zi, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës i kanë sytë dhe shpresat në Bruksel për mundësinë e dhënies së rekomandimit për hapjen e negociatave në progres-raportin e tetorit.
Vendimmarrja është vërtetë e strehuar me seli në Bruksel, por faktorët dhe aktorët kryesorë, nga të cilët varet ajo, ndodhen në Tiranë. Me bërje ose bllokim të detyrimeve të mëtejshme që duhet të plotësojë vendi ynë në raport me kërkesat e Bashkimit Europian, Tirana zyrtare dhe opozitare në cilindo krah që gjendet aktualisht, do të jetë përcaktuese për futjen e vendit në një listë të re partnerësh me vendet europiane. Skenari i parë, më optimist, është rekomandimi nga Komisioni Europian në progres-raportin e vjeshtës për çeljen e negociatave, i cili duhet thënë se është këshillues dhe jo detyrues për qeveritë e vendeve të BE.
Më pas në dhjetor, ministrat e jashtëm të BE do të duhet të marrin vendim për të nisur negociatat, bazuar në rekomandimin e Komisionit. Ky skenar, duket se ka pak gjasa të ndodhë edhe për më optimistët. Për të siguruar vendim pozitiv të qeverive europiane, duhet që parlamenti konsensual a patriotik, si të dëshirojnë të vetëquhen, ta vazhdojë detyrën ndaj atdheut duke miratuar pa vonesa apo shtyrje të pajustifikuara shtatë ligjet e ashtëquajtura të emergjencës, nga afro 41 ligje, të cilat duhen ndryshuar për ta bërë të zbatueshme dhe të prekshme reformën në drejtësi.
Nëse analizojmë klimën politike që pasoi 140 votat e ndryshimeve kushtetuese, ka pak gjasa që partitë ta vazhdojnë konsensusin e sforcuar të mesnatës së 21 korrikut.
Retorika me qeveri teknike dhe shqetësimet e opozitës për vjedhje votash në zgjedhet e ardhshme parlamentare janë elementë dekurajues për cilindo partner që vendos të të fusë në familjen e tij politike dhe ekonomike.
Skenari i dytë, me probabilitet më të lartë për të ndodhur është marrja e rekomandimit nga Komisioni në tetor, nëse miratohen pa ngërçe dhe artifica të shtuara shtatë ligjet e emergjencës dhe fillon ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë.
Sigurimi i rekomandimit të Komisionit, nuk është e thënë që të jetë bindës dhe i mjaftueshëm për qeveritë e vendeve anëtare, të cilat në dhjetor mund të përsërisin një skenar të përdorur më parë me Shqipërinë, në rastin e statusit kandidat. Këshilli i Ministrave të BE mund të vendosë të presë “frutet” ose “kokat” konkrete të reformës në drejtësi dhe të prioriteteve të tjera, duke ngarkuar Komisionin të raportojë progresin e vendit në muajt e ardhshëm.
Në këtë rast, zbatimi i reformës në drejtësi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të 2017-tës do të jenë kushtëzimi i radhës për fillimin e negociatave, që për fat të mirë ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria nga pikëpamja formale ka avantazhin e kapitujve 23 dhe 24 që mbulojnë drejtësinë, të përfaruar me legjislacionin e vendeve anëtare.
Nëse ndodh ky skenar negociatat mund të hapen pas zgjedhjeve dhe kur drejtësia të ketë dhënë shenjat e para të funksionimit në mënyrë të barabartë për të ndëshkueshmit dhe të pandëshkueshmit.
Skenari i tretë, është dhe më fatali për Shqipërinë, por jo i pamundur. Komisioni nuk rekomandon hapjen e negociatave në tetor, pasi klima politike në vend nuk e bind mjaftueshëm dhe shtimi i toneve agresive apo mosmiratimi i ligjeve në shtator do të përdoret për qëllime të vogla partiake duke penalizuar interesat kombëtare të vendit.
Nuk do të ishte hera e parë që partitë sakrifikojnë atdheun për axhendat e tyre. Por me siguri, do të ishte hera e fundit që shqiptarët do ta toleronin një sjellje të tillë ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë së mbetur në vagonin e fundit të trenit të integrimit.
/javanews.al/