Prej disa javësh një pjesë e mirë e rrugëve të kryeqytetit i janë nënshtruar ndërhyrjeve nga ana e ndërmarrjeve të Bashkisë Tiranë, për të krijuar lehtësira për ata që lëvizin me biçikleta po ashtu edhe për këmbësorët. Ndërhyrje që konsistojnë kryesisht në ndërtimin e korsive të dedikuara për biçikletat si dhe vendosjen e të gjithë sinjalistikës dhe lehtësirat e nevojshme për kalimtarët dhe sidomos personat me aftësi të kufizuara.
Një prej zonave që ka pësuar edhe transformimin më të madh është rrethrrotullimi i sheshit “Willson”, ku veç ndërhyrjeve në rrugë për të ndërtuar korsinë e dedikuar të biçikletave, është vendosur edhe sinjalistika e nevojshme vertikale dhe horizontale, ndërsa është bërë e mundur edhe ulja e trotuareve për kalimin e karrocave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë që paralelisht po punohet edhe me projektin e rehabilitimit të Unazës së Mesme, ku gjithashtu po ndërtohet një korsi e dedikuar për biçikletat si dhe po bëhet e mundur ndërtimi i korsisë së dedikuar për mjetet e transportit publik dhe urgjencën aty ku është e mundur.