Momente tronditëse janë regjistruar në sfidën mes Kroacia U21 dhe Turqia U21, teksa ndeshja u ndërpre në minutën e 35-të. Sfida kualifikuese u shty për shumë minuta pasi trajneri i përfaqësueses turke, Egemen Korkmaz, u rrëzua në fushë, duke shkaktuar panik te lojtarët dhe stafet.
Menjëherë pas incidentit, për trajnerin u kërkua ndihmë mjekësore urgjente dhe ai u transportua drejt spitalit. Ngjarja ndodhi pak momente pas kartonit të kuq të marrë nga lojtari Tiknaz.
Sipas raportimeve të mediave turke, përfshirë “Tivibu Spor”, trajneri rrëshqiti dhe më pas goditi kokën në tokë, duke pësuar enjtje. Fatmirësisht, ai ka qenë i vetëdijshëm gjatë transportimit për në spital.
Në një deklaratë, Federata Turke e Futbollit tha: “Trajneri ynë i Kombëtares U-21, Egemen Korkmaz, humbi ndjenjat pasi rrëshqiti dhe goditi kokën në tokë në minutën e 35-të të ndeshjes së sotme kualifikuese të Kampionatit Evropian U-21 kundër Kroacisë në Opus Arena në Osijek.
Korkmaz, i cili pësoi enjtje në kokë për shkak të rrëzimit, mori trajtimin fillestar nga ekipi ynë mjekësor në stol. Ai është i vetëdijshëm dhe është dërguar në spital me ambulancë për ekzaminime të mëtejshme. I urojmë shërim të shpejtë.”
gijotina.com/










