Nga Kozeta Kurti
I dashur kompozitor, tekstshkrues, orkestrues e interpretues,
E mban mend kur të ftova në takim e u përpoqa të të “mbush mendjen” që të merrje pjesë në Festival? Të punoje e të dërgoje një këngë të mirë në këtë garë të këngës me të cilën jemi rritur të gjithë? E bëra, sepse këtë vit m’u dha mundësia ta bëj, ndërkohë që për vite me rradhë më ka dhembur shumë Festivali si institucion.
Më pyete sa lekë ka e s’dija të të përgjigjesha, sepse gjëja e fundit që më ka interesuar në art, është të shitet krijimtaria ende pa u mbaruar. Edhe pse unë e di që ti për vite me rradhë e ke parë atë festival, si mundësi për të “shitur” këngën tënde më të dobët, nuk ta thashë, sepse unë i adhuroj artistët e kurrësesi nuk mund t’i fyej ata.
Të kujtohet kur më pyete: më thuaj të vërtetën, a është ndarë çmimi i parë apo jo, të thashë se ti je i dyzeti person që po i bëj të njëjtën bisedë, sepse skuadra e këtij viti do të bëjë një festival qejfi. As Pali Kuke nuk ka ndërmend të konfirmojë veten me ato tre net, as Krasta, as ata të ftuarit që do vijnë për të nderuar festivalin, e jo se kanë nevojë për të. Në gjërat e “qejfit”, nevoja është e fundit që diskutohet.
Më more në telefon dhe më bëre qepaze, duke më akuzuar se s’të kisha thënë për çmimin e paramenduar të Arilena Arës, se isha treguar gënjeshtare e s’e kisha vënë në rrezik marrëdhënien tonë personale shumë vjeçare. Sa jam kënaqur kur të lashë me fjalë në grykë! Shumë jam kënaqur! Jo sepse nuk e durova dot të ma vije në dyshim ndershmërinë a të thënin e gjërave troç e pa dorashka, po sepse të vërtetova që unë marrëdhëniet e mia personale, nuk i rrezikoj për thashetheme bulevardesh online.
Dhe së fundmi, më more në telefon e m’u hakërreve që ti prej meje kishe ardhur në garë dhe tani që s’u fute, duhet të mbaja unë përgjegjësi për ty. Unë të garantova që askush s’ka ndarë asgjë, por nuk të garantova që do mbaj përgjegjësi për cilësinë e krijimtarisë tënde. Secili nga ne ka veç dikë në dorë, veten!
Diku lexova që jam goja e festivalit! Me këtë gojë do t’i shpreh unë gjërat në fund të këtij festivali, i cili si çdo tjetër para këtij, ka pasur, ka e do të ketë problemet e veta deri në fund. Por në këtë moment, askush nga festivali nuk do merret të japë përgjigje çdo komentuesi a komenti, të hedhur tutje si shashkë. Nëse do ishit kualifikuar, a do thonit si votoi për ne ky Luan Zhegu? Ky duhet të dalë në pension…A do ta kishit bërë? Dyshoj unë për këtë! Nuk shkruhet e nuk flitet duke pirë dhallë mejhaneve, por flitet me objektivitet, ndërtohet debat, dalin përfundime e gjithçka përmirësohet vitin tjetër, tjetër e kështu me rradhë.
A ka vend për diskutim ky festival? Sa të duash! Meraku im më i madh, edhe i shprehur mjediseve të RTSH-së e stafit të festivalit është, po sikur të jetë kënga e Elton Dedës më e mira, a do kemi këllqe ta pranojmë, ndërkohë që ai është drejtues i orkestrës, apo për moral do ta anatemojmë, se ka konflikt interesi? Po sikur të jetë e Redon Makashit do themi: po normal se është shoku i Tonit! Po të jetë e Gent Bushpepës? Po normal! Kot nuk ka ardhur ky, pa ja premtuar se ky s’i ka qejf festivalet. Po të jetë e Manjola Nallbanit? Patjetër! Ka pagu’ kjo se e ka burin gjyqtar….dhe qindra komente të tjera, të cilat unë i riprodhoj si barcaleta në një fraksion sekondi.
Ajo që po përpiqem t’ju them është se çdokush nga ne ka të drejtë të dijë se ku shkojnë paratë e veta që paguan me faturën e energjisë elektrike, se të gjithë jemi taksapagues, por mos e ngatërroni këtë me krijimtarinë, artin, kulturën. Mos abuzoni në emër të saj! Eja të bëjmë analiza sa të duam për buxhetin e RTSH-së, por të pavarura nga koncepti i festës së muzikës së dhjetorit.
Ejani të bëjmë analizë edhe për muzikën! Ta nisim nga festivali e ta shpiem atje ku është rrokullisur ajo sot, në humnerat pornografike të industrisë së klipeve, por me argument, e jo duke u fshehur pas gishtit, me qarqet e shkurtra që bëjmë ne: kushëriri i filanit, dashnorja e fistekut etj.
Deri atëherë, kushdo që është në njëzet e dyshe, suksese! Të tjerët kanë dhjetëra mundësi për të pasur vizibilitet si të duan e kur të duan!
Historia as fillon, as mbaron me asnjërin nga ne…