Bedri Elezi ka luftuar përkrah xhihadistëve të huaj gjatë përpjekjes për pavarësinë e Kosovës. Ata ishin më të paktë në numër krahasuar me kontingjentin e madh në konfliktin e Bosnjës, por ata ishin me eksperiencë, të armatosur mirë, dhe ishin betuar t’u ndihmojnë myslimanëve të tjerë në kapitullin e fundit të ndarjes së dhunshme të Jugosllavisë.
Pjesa më e madhe e luftëtarëve të huaj u larguan pas intervenimit të NATO-s dhe tërheqjes së forcave serbe. Një shtet i ri kishte lindur dhe Bedri Elezi, së bashku me pjesëtarët tjerë të rezistencës, iu kthyen jetës normale, pasi Ushtria Çlirimtare e Kosovës në të cilën shërbyen u çarmatos.
Bedri Elezi, megjithatë mbajti kontakte me disa nga islamistët që i kishte njohur para dy dekadave dhe pa se si ata kërkonin xhihad në toka tjera – Afganistan, Somali, Libi, Irak dhe Siri. Disa janë ende atje, por të tjerët përfshirë edhe një luftëtar të shquar saudit, janë vrarë.
Bedri Elezi filloi të vërejë se numri i bashkatdhetarëve të tij që po i bashkoheshin brigadave të huaja islamike po rritej në numër. Nga Kosova, një vend i cili e fitoi pavarësinë e saj me ndihmën e bombardimeve të perëndimit dhe një force udhëheqëse britanike të NATO-s shkuan më tepër se 320 pjesëtarë për Irak dhe Siri numri më i lartë për kokë banori se në çdo shtet tjetër evropian, të cilët iu bashkuan ISIS-it.
Rritja e radikalizmit pasoi me ardhjen e imamëve nga Lindja e Mesme dhe disa nga Turqia, e që Bedri Elezi dhe një grup i kolegëve po i vështronin me shqetësime të mëdha. Ata gjurmuan lëvizjet e klerikëve dhe të konvertuarve nëpërmjet kontakteve të tyre midis islamistëve, duke paralajmëruar agjencitë e sigurisë së vendit, disa prej të cilëve ishin ish-shokë të UÇK-së, se çfarë po shpalosej.
Që nga atëherë, Bedri Elezi, një biznesmen 41-vjeçar, kishte udhëtuar në kufijtë e Sirisë për të ndihmuar fëmijët dhe gratë e xhihadistëve të ktheheshin në shtëpi. Për dallim prej shteteve tjera evropiane, Kosova ka një politikë shtetërore për të riatdhesuar luftëtarët dhe familje e tyre dhe ka një program të gjerë rehabilitimi në fuqi.
Përderisa ka polemika të vazhdueshme dhe acaruese rreth politikës së Britanisë në çështjen e të kthyerve, veçanërisht vendimin e qeverisë për ndalesën ndaj adoleshentes, Shamima Begum për t’u kthyer në shtëpi dhe heqjen e nënshtetësisë së saj. Kosova së fundi ka kthyer 106 fëmijë dhe gra nga siria në grupe.
Një nga misionet e fundit të Bedri Elezit ishte të gjej një djalë të vogël, Alvin Berisha 6-vjeçar i cili ishte dërguar në kryeqytetin e ISIS-it Raqqa, para 5 vjetëve . Ai ishte dërguar atje nga nëna e tij Valbona nga Italia, ku familja me prejardhje nga Kosova ishte vendosur.
Valbona e cila kishte marrë emrin Yushra në Siri, ishte duke u përpjekur të ikte me Alvinin emri i të cilit ishte ndryshuar në Yusuf dhe me një djalë nga një martesë me një xhihadist shqiptar nga territoret e fundit të zvogëluara të ISIS-it, kur vetura në të cilin ata ishin u godit nga një raketë e forcave perëndimore. Alvini, ishte lënduar rëndë nga sulmi, nëna dhe vëllau nga njerku u vranë.
Bedri Elezit i ishte kërkuar nga babai i Alvinit, Afrim Berisha, ish-burrit të Valbonës të gjej djalin e tij. Afrimi kishte provuar të largojë Alvinin nga Siria edhe më herët, pasi kishte marrë mesazhet nga djali duke thënë se sa i frikësuar ishte dhe si dëshironte të largohej. Por të gjitha përpjekjet ishin bllokuar nga nëna e tij e cila provonte që të shtyjë djalin e saj që ti bashkohej fëmijëve luftëtarë të ISIS-it. “Këlyshët e Kalifatit” siç quheshin ndryshe.
Pas disa javëve kërkime, Alvini, tani 11 vjeç ishte gjetur nga Bedri Elezi në kampin e madh të refugjatëve në al-Hol, në verilindje të Sirisë. Ai është akoma në kamp përderisa procesi për të kthyer atë në shtëpi vazhdon, nëpërmjet ndërlidhjes me qeveritë dhe organizatat e ndihmave.
Bedri Elezi dhe kolegët e tij thanë se janë të gatshëm të ndihmojnë njerëzit nga kudo në perëndim, të kthejnë të afërmit e tyre nga Siria dhe Iraku nëse munden.
“Secili shtet ka ligjet e veta dhe ne nuk duam të thyejmë asnjë ligj, por nëse ne mundim të shfrytëzojmë kontaktet tona për të kthyer njerëzit të sigurte atëherë ne do të provojmë të ndihmojmë” donte të thoshte, derisa ishte i ulur në një kafene në Prishtinë në kryeqytetin e Kosovës.
“Qeveria këtu në Kosovë, ka filluar ti kthejë familjet dhe ne mendojmë se ky është një veprim korrekt” shtoi ai.
“Nëse lë fëmijët në këto kampe me vite atëherë ti je duke krijuar njerëz të cilët bëhen agresivë dhe të dëshpëruar, dhe ata mund të rekrutohen nga ekstremistët për të krijuar një gjeneratë të re të luftëtarëve. Por siç thashë, se cili shtet bën ligjet e veta”.
“Por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi të vëmendshëm tek ata luftëtarë që nuk kthehen nëpërmjet sistemit qeveritar por fshehtas. Ky është një problem jo vetëm për Kosovën por edhe për regjionin dhe Evropën”.
“Ne e dimë se është shqetësuese për Britaninë e Madhe, sepse ne kemi pasur zyrtarë nga Londra, mendoj nga shërbimi sekret M16 të cilët kanë qenë këtu për të hetuar njerëzit me lidhje në Britani të Madhe. Ky regjion është i njohur mirë për kontrabandimin dhe kjo është një shqetësim për njerëzit në Evropën veriore. Ne nuk mund ta fshehim faktin se njerëz nga Kosova kanë shkuar për tu bashkangjitur me ISIS-in. Kështu që ne duhet të menaxhojmë situatën tani”.
Një shembull i këtij problemi që po vazhdon ishte ilustruar me arrestimin e një shtetasi kosovar nga policia gjermane muajin e kaluar. Ai kishte dërguar, siç ishte pretenduar mijëra euro për pjesëtarët e ISIS-it.
Burri, i quajtur vetëm Hassan Rejan B nën ligjet gjermane pa marrë parasysh identifikimin e të dyshuarve, ishte akuzuar për vepra terroriste nga prokurorët në Hamburg.
Një nga komandantët me profilin më të lartë në ISIS, Lavdrim Muhaxheri, i vetëshpallur shefi i Batalionit të Ballkanit, ishte nga Kosova. Ai u shfaq në një numër pamjesh vizuale të vrasjeve, duke përfshirë një në të cilin ai i preu kokën një “spiuni” në Irak dhe një tjetër në të cilin ai u pa duke shpërthyer një burrë me një raketë të shtyrë granatë në Siri dhe pastaj duke shqelmuar pjesët e mbetura të trupit.
Muhaxheri, me prejardhje nga qyteti i Kaçanikut, vendqëndrimi i parë i forcave udhëheqëse britanike të NATO-s kur kanë hyrë në vend në vitin 1999.
Ai ka punuar për NATO-n në Kosovë, në bazën më të lartë amerikane të sigurisë kampin Bondsteel, si një punonjës civil. Ai më vonë iu bashkua një kampi trajnimi të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Asistencës (ISAF) të udhëhequr nga SHBA në Afganistan. Komandanti xhihadist thuhet se është vrarë në një sulm ajror, edhe pse disa në Kosovë thonë se nuk mund të jenë plotësisht të sigurt se ishte ai në atë rast.
“Ne mund të jemi të sigurt vetëm kur të kemi dëshmi definitive se ata janë të vdekur ose ata që janë sjellë këtu me familjet e tyre”, thotë Bedri Elezi.
Një grua 21-vjeçare që jetonte me Valbonën dhe Alvin në Raqqa tani është kthyer në Kosovë nën skemën e rehabilitimit. Një luftëtar i ISIS-it me të cilën ajo u martua në Siri është në burg në Shqipëri.
Gruaja, e cila nuk dëshiron të identifikohet sepse ka frikë për sigurinë e saj, po jeton me familjen e saj në një qytet jashtë Prishtinës nën arrest shtëpiak. Ulur nën një pemë në kopshtin me diell të shtëpisë, ajo shikoi fotografitë e Alvinit që Elezi e kishte sjellë nga kampi sirian.
“Unë jam shumë e lumtur që ai është gjallë, ai kurrë nuk donte të ishte atje, ai ishte shumë i mërzitur dhe donte të shkonte në shtëpi. Ai ka pasur një periudhë shumë të keqe dhe duhet ti ofrohet përkujdesje, “thotë ajo.
Gruaja e re mbante një niqab duke fshehur trupin dhe fytyrën e saj. Asnjë nga anëtarët e tjerë femra të familjes të ulur rreth saj nuk ishin të veshur në të njëjtën mënyrë. Gjyshja mbante një shami që mbulonte pjesërisht flokët e saj.
“Ajo është më e bukura nga vajzat e mia, por askush nuk mund ta shohë atë, për shkak të mënyrës se si ajo është e veshur” babai i gruas së re dëshironte të theksonte.
“Por tani ajo është kthyer, ndoshta ajo do të kthehet në mënyrën se si ajo ishte. Ne jemi shumë të lumtur që ajo është kthyer, ne kemi një shans për të ndryshuar gjërat. Duhet të jetë e tmerrshme për baballarët dhe nënat që e dinë se djemtë dhe vajzat e reja që kanë mbijetuar luftimet, por nuk mund të kthehen, është një humbje e dyfishtë”, shkruan The Independent, transmeton Gazeta Express.