Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar mbrëmjen e kësaj të enjteje me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, në Bruksel, aty ku pas tij, shefja e BE-së për politikën e Jashtme dhe Sigurinë mikpriti edhe homologun serb të Thaçit, Alexandar Vuçiç.
“Sapo përfundova takimin dypalësh me përfaqësuesen e lartë për politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. U pajtuam për dinamizmin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi në rrjetet sociale.
Mogherini pritet të ulet edhe në një tryzë të rrumbullakët për darkë, me pjesëmarrjen e të dy krerëve të shteteve, në vazhdën e procesit ndërmjetësues për dialogun e përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe.