Policia greke ka goditur një tjetër rast të trafikut të drogës pranë kufirit me Shqipërinë, duke sekuestruar mbi 60 kilogramë marijuanë dhe duke arrestuar një 18-vjeçar grek.
Operacioni u zhvillua nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë për Ndjekjen dhe Hetimin e Krimeve në Igumenicë. Sipas autoriteteve, i riu u ndalua mëngjesin e sotëm në zonën e Sajadhës, pranë kufirit greko-shqiptar, gjatë kontrolleve të shtuara që policia po kryen në këtë zonë.
Gjatë kontrollit të automjetit, një makinë private e marrë me qira, policia zbuloi në bagazh dhe në sediljet e pasme tre çanta të mëdha. Brenda tyre u gjetën 55 pako me marijuanë, me një peshë totale prej 60 kilogramë e 565 gramë, të cilat u sekuestruan menjëherë si provë materiale.
18-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij është ngritur dosje penale për trafikim dhe transportim të lëndëve narkotike.
Sipas të dhënave të policisë greke, që nga muaji shtator janë sekuestruar rreth 835 kilogramë marijuanë që dyshohet se kanë hyrë në Greqi nga Shqipëria. Rastet janë zbuluar kryesisht në zonën e Igumenicës, si në rrugë tokësore ashtu edhe në ato detare, por edhe në qytete të tjera si Janina, Selaniku dhe Kosturi.
Autoritetet greke theksojnë se kontrollet në zonat kufitare do të vijojnë, për shkak të shtimit të rasteve të trafikut të drogës në këtë korridor.
gijotina.com/










