Kanë kaluar tashmë dhjetë ditë që kur qeveria shqiptare bëri deklaratën e parë, premtimin për uljen e akcizës së karburanteve “me 20%” për të pakësuar pasojat e krizës së shkaktuar nga lufta që SHBA dhe Izraeli po bëjnë kundër Iranit. Por pas dhjetë ditësh, Ministri i Financave deklaroi se qeveria, jo vetëm që nuk e ka kryer premtimin e dhënë, por ka ndër mend të aktivizojë një politikë të tillë vetëm nëse çmimi i karburanteve rritet në mbi 220 lekë për litër.
Shqiptimi jo i detajuar i premtimit të 20 marsit për uljen e akcizës “me 20%” si dhe pragu i vendosur nga Petrit Malaj në masën 220 lekë për litër, sugjeron se qeveria nuk e ka seriozisht punën e menaxhimit të një krize dhe se premtimi i saj për ulje akcize është i ngjashëm me renderët e aeroporteve, hekurudhave dhe rrugëve që nuk ekzistojnë në realitet.
Çmimi i karburanteve kryesore të përdorura në Shqipëri, naftë dhe benzinë, ishte 170 lekë para krizës ndërsa është luhatur në 180-210 lekë gjatë krizës. Nëse do të presim që çmimi të shkojë 220 lekë para se të veprojmë, kjo do të thotë se çmimi të rritet me 40 lekë, ose me 25%.
Përdorimi i uljes së taksave për të pakësuar pasojat e krizës për bizneset dhe qytetarët, pra për ekonominë, nuk është një politikë populiste dhe është, me gjasa, neutrale në të ardhurat buxhetore. Me pak fjalë, qeveria është duke arkëtuar sot e të gjithë ditën, të ardhura shtesë nga rritja e çmimit të karburanteve. Kur çmimi është 170 lekë, TVSH e paguar nga qytetarët është 28.3 lekë. Kur çmimi është 210 lekë, TVSH rritet në 35 lekë. Deri sa çmimi të shkojë 220 lekë, TVSh e paguar nga qytetarët është rritur në gati 37 lekë. Me pak fjalë, nëse qeveria ul akcizën “me 20%”, atëherë kjo do të thotë se qeveria nuk është se “po vuan”; ajo nuk është se po detyrohet të ulë numrin e patronazhistëve parazitarë në borderotë e shtetit, as nuk ka nevojë të ulë dozën e manipulimit të prokurimeve publike. Ajo thjeshtë po u akordon qytetarëve taksat shtesë të krijuara nga rritja e çmimit. Qytetarët sërish do të paguajnë çmim më të lartë se sa më parë, por qeveria nuk do të jetë përfituese neto nga kriza. Në këtë kontekst, vendosja e një pragu abuziv në masën 220 lekë për litër, lejon qeverinë që të përfitojë nga rritja e çmimeve në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve.
Problemi kyç, dhe ai që tregon se qeveria nuk e ka seriozisht menaxhimin e krizës, është në faktin që, duke premtuar ulje me 20% të akcizës pasi çmimi të arrijë 220 lekë për litër, qeveria rrezikon të bëjë më shumë dëm se sa të vijë në ndihmë të qytetarëve.
Duhet të rikthehemi në vitin 2014 për të kuptuar se pse, ulja e akcizës në mënyrë të papritur “me 20%” rrezikon të bllokojë një treg kyç për një mall të domosdoshëm si akciza.
Në vitin 2014, qeveria socialiste, si pjesë e premtimeve të saj populiste paraelektorale, hoqi TVSH-në mbi ilaçet. Duhet ta keni parasysh që në atë kohë, Shqipëria kishte Tatim mbi Vlerën e Shtuar në masën 10% mbi medikamentet, shumica e të cilave janë të importuara. Heqja e TVSH-së së ilaçeve ishte me efekt të papërfillshëm për qytetarët sepse në Republikën e Shqipërisë, shumica dërrmuese e ilaçeve paguhen nga taksapaguesi përmes skemës kombëtare të sigurimeve shëndetësore. Një pjesë shumë e vogël, fjala vjen, ndonjë aspirinë apo paracetamol, paguhet nga xhepi dhe kjo nuk ka rëndësi në situatën e përgjithshme. Por telashi që ndodhi ishte që, kur importuesit dhe farmacitë mësuan se TVSh do të hiqet, ndërsa prisnin që ajo të hiqej, ndaluan pothuajse të gjithë aktivitetin për shkak të nevojës për të shmangur rrezikun e shitjeve të ilaçeve të blera me TVSH, pa TVSH, pra me humbje. Njerëzit mbetën pa ilaçe ndërsa prisnin që makineria burrokratike e qeverisë të vihej në punë. Shqipëria ka gjasa të përjetojë një krizë të ngjashme në rast se, çmimi rritet në mbi 220 lekë për litër dhe qeveria ul akcizën, siç e ka premtuar, me 20%. Operatorët e tregut, fitimet e të cilëve janë në rendin e 2 lekëve për litër, ka gjasa do të ndërpresin furnizimin ndërsa shohin se çfarë do të bëjë qeveria, për shkakun e thjeshtë se, fitimi i tyre, 2 lekë për litër, është katër herë më i ulët se sa akciza që premtohet të ulet. Për rrjedhojë, në vend që të ulë çmimin e karburanteve dhe të pakësojë efektet e krizës në ekonomi, ka gjasa që qeveria do të lë qytetarët dhe bizneset pa naftë.
Rritja e taksave është një ushtrim krahësimisht më i lehtë. Për shembull, qeveria rriti “taksën e qarkullimit” mbi karburantet në vitet 2024 e 2015 me nga 10 lekë për litër çdo herë. Ndërsa prisnin hyrjen në fuqi të taksës së re, importuesit shtuan importet me qëllim që të mund të shisnin naftë të importuar me taksat e vjetra, përkundrejt çmimeve me taksat e reja. Ndërsa fitimet spekulative ishin të stërmëdha, së paku nuk kishte mungesa në treg, si në rastin e ilaçeve.
Rrjedhimisht është shumë e logjishme, si në drejtim të menaxhimit të krizës ashtu edhe në drejtim të shmangies së mungesave në treg, që qeveria të mos presë rritjen e çmimit në 220 lekë për të vepruar, por të veprojë sa më gradualisht të jetë e mundur. Me pak fjalë, në vend që të “ulë akcizën me 20%” kur çmimi të kapërcejë 220 lekë për litër, ajo duhet të ulë akcizën me 2% kur çmimi të arrijë 175 lekë, me 2% të tjera kur të shkojë 180 lekë, me 2% të tjera kur të shkojë 185 lekë, e me radhë. Për shkak se çmimi ka shkuar sakaq 200 e kusur lekë, qeveria bën mirë që të shohë frekuencën e importeve të karburanteve për të llogaritur se në çfarë mase, gradacioni i uljes së çmimeve do të mund të absorbohet më lehtë nga tregu.
Por nëse sheh se ekspertët e qeverisë ishin aq të paaftë sa llogaritën gabim kostot e karburanteve dhe u detyruan të ribëjnë llogaritë kur u kërcënuan për bllokim të tregut nga importuesit, gjasat që logjika elementare ekonomike do të jetë përcaktuese në politikëbërje janë jashtëzakonisht shumë të ulëta./BIRN









