Nga Saimir Demi
Një Skënderbeu – Partizani është vërtetë ndeshje për t’u pritur me interes dhe kjo, jo vetëm sepse së fundmi, dy skuadrat kanë rivalizuar për titullin më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Për ta bërë situatën më të ndezur ka ndikuar edhe fakti, që prej kohësh dy “skuderitë” nuk kanë më asnjë relacion miqësie me njëra-tjetrën, madje në këtë periudhë janë përfshirë në debate e akuza publike, në pothuajse të gjitha nivelet. Por, ka edhe diçka tjetër, për t’u gjykuar si e rëndësishme. Skënderbeu ka humbur dominimin e viteve të arta dhe pikërisht tani është koha për të treguar, se elementët që mund të bëjnë diferencën janë sërish të pranishëm dhe kështu që këto javë me luhatje kanë qenë thjesht një lapsus. Ndërsa për Partizanin është pikërisht koha për të demonstruar se i ka të gjitha mundësitë ta fitojë në fushë, kurorën që i ka vënë vetes objektiv prej fillimit të sezonit. Por, ajo që bie sërish në sy është nxehja e atmosferës në mënyrë artificiale, madje ky pompim i jashtëm ka sërish tendenca t’i devijojë qëllimin atyre 90 minutave. Deri tani, mania për t’i mbushur mendjen vetes, që edhe ne kemi një kampionat elitar, pasi ekzistojnë edhe përballje të tilla, nuk ka sjellë asnjë impakt pozitiv në fushën e lojës, por në të kundërtën, vetëm ka provokuar nervozizëm dhe ndonjëherë incidente të dhunshme. Në derbin e parë (Partizani – Tirana) që u luajt në Elbasan, u fol gjatë të gjithë javës që e parapriu, madje me një pasion absurd, për grumbuj tifozësh që do të udhëtonin nga e njëjta lagje, por në akse rrugore të ndryshme, për të evituar përplasjet që parashikoheshin të ishin të përgjakshme, si dhe gjithçka u shoqërua me masa shtesë nga forcat e rendit. Ndeshja në fushë ishte fare e zakonshme për nga cilësia, ndërsa tifozët u kthyen normalisht në shtëpitë e tyre, po nga e njëjta rrugë. Në derbin e dytë, i njëjti futboll që luhet në Shqipëri dhe pjesa më “interesante” ishte, kur në “Selman Stërmasi” ikën dritat. Ndërsa njerëzit e shkallëve nuk u përfshinë në asnjë incident, megjithëse ishte një terr i plotë, saqë ishte e vështirë të gjeje edhe xhepat e tu, për të ngrohur duart. E njëjta gjë në ndeshjen e parë Partizani – Skënderbeu, ku mendjet e ndritura që parashikojnë gjithçka, lajmëruan sërish incidente dhe aplikuan në Elbasan një tjetër gjendje shtetrrethimi, aq sa në atë qytet, një ndeshje futbolli është kthyer në makth. Në fushë asnjë gol, ashtu si edhe në dy takimet derby, veçse policia i detyroi tifozët me dhunë, që të transferoheshin nga shkallët e stadiumit, ku ishin sistemuar duke paguar bileta, në tapetin e gjelbër, duke e kthyer atë në spital.
Sot në mbrëmje, Skënderbeu do të presë në Korçë, Partizanin dhe gjithnjë e më pak ka interes për përgatitjen sportive të ndeshjes nga stafet e specializuara. Flitet për transferim të drejtuesve pranë ekipeve, për t’i mbajtur futbollistët të karrikuar dhe kjo është e vetmja gjë e natyrshme e kësaj historie. Pasi është trajtuar si një gjë shumë e rëndësishme, një takim i programuar nga një përfaqësi tifozësh “ultras” me lojtarët dhe që u kërkojnë fitore të personalizuar, si të kenë përballë armiq, gjë që nuk ndikon në asgjë tjetër, veçse rrit trysninë. Nga ana tjetër janë tifozët e Partizanit, të cilët kanë kërkuar një flotë autobuzësh, për të qenë të organizuar dhe sa më të shumtë në numër, në një “Vaterlo” imagjinare, si dhe kanë mbushur rrjetet sociale me shënime ironizuese dhe fyese. Dhe në të tilla raste, nuk ka se si të mos përbëjë interes, lajmërimi për një prani përsëri të shtuar të forcave të rendit, madje thuhen edhe shifra efektivësh të gatshëm, që kanë tendenca të rriten dita ditës, si pjesë e spektaklit. Kjo melodi që nuk ndryshon asnjëherë është bërë vërtetë e frikshme. Eshtë fare e pakuptimtë, që askush nuk mundohet ta frenojë këtë nxitje të urrejtjes, të cilën për fat të keq e kanë veshur edhe me uniforma sportive. Ata nga vendi i serenatave, po presin hasmin që po i afrohet te porta, ndërsa këta të tjerët, nisen për t’i qëndruar pranë sho-shoqit në ditë të vështira. Dhe çfarë mund të pjellë në fund, kjo lloj ngjizje e shpifur? Policët e shumtë dhe të parapërgatitur për situata anormale, e kanë treguar në më shumë se një rast që nuk janë në gjendje të kontrollojnë dot as veten, dhe jo më të administrojnë turma. Siç ndodhi në ndeshjen e parë, kur shihnim doktor Dhimon që bridhte nëpër fushë me çantë në dorë, për të ndihmuar tifozët e plagosur, kurse futbollistët e të dy skuadrave u shërbenin me ujë. Po Agostineli dhe Starova, çfarë kanë ndërmend të bëjnë, për t’i dhënë kësaj ndeshje kuptimin real? Këtë mund ta lexoni në faqen 10 të gazetës, së bashku me parashikimin e motit…