Zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partia Demokratike, Genta Vangjeli, ka ngritur akuza lidhur me ndërtimin e një resorti në zonën e Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Në një deklaratë për mediat, Vangjeli e ka e cilësuar procesin si të dyshimtë dhe në favor të interesave private.
Sipas deklaratës, ndërhyrjet në këtë zonë kanë transformuar Gjirin e Manastirit, duke dëmtuar potencialin arkeologjik, përfshirë edhe një zbulim të bërë në vitin 2010. PD pretendon se autoritetet e kulturës kanë censuruar dokumente dhe kanë ndryshuar qëndrime lidhur me projektin.
“Ndërtimi i resortit në zonën e Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ngre dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme në procesin shkencor arkeologjik, me synim favorizimin e interesave private. Ndërtimi i këtij resorti transformoi përgjithmonë Gjirin e Manastirit, që ndan Detin Jon me Liqenin e Butrintit dhe nga ana tjetër shkatërroi potencialin arkeologjik të zonës, përfshirë një zbulim të vitit 2010”, deklaron Vangjeli.
Gjithashtu, përmendet roli i arkeologes Iris Pojani, e cila sipas PD-së ka hartuar një raport që i ka hapur rrugë ndërtimit në një zonë me potencial të lartë arkeologjik, të cilësuar më herët si “pikë e vogël” nga Mirela Kumbaro.
Denoncimi
Ndërtimi i resortit në zonën e Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ngre dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme në procesin shkencor arkeologjik, me synim favorizimin e interesave private.
Ndërtimi i këtij resorti transformoi përgjithmonë Gjirin e Manastirit, që ndan Detin Jon me Liqenin e Butrintit dhe nga ana tjetër shkatërroi potencialin arkeologjik të zonës, përfshirë një zbulim të vitit 2010.
Sipas të dhënave të bëra publike nga investigimi i Qendrës ‘Amfora’, Kompania zhvilluese me stratusin e investitorit strategjik, nuk respektoi monitorimin arkeologjik, gjithashtu u gjet në shkelje nga një vlerësim i UNESCO-ICOMOS.
Ndërsa autoritetet e kulturës censuruan dokumentet dhe ndërruan disa herë alibi.
Manipulimi i trashëgimisë kulturore për interesa klienteliste dhe ekonomike përbën një nga format më të rënda të abuzimit me pasuritë kombëtare.
Arkeologia Iris Pojani, ose siç e quajnë ndryshe mikesha e ministers Mirela Kumbaro që në atë kohë drejtonte ministrinë e Kulturës, rezulton të ketë hartuar një raport vëzhgimi arkeologjik me anë të të cilit I hapi rrugë ndërtimit në zonën e Manastirit pikërisht në ‘pikën e voçkël’ të cilësuar nga Mirela Kumbaro, por me potencial të lartë arkeologjik.
Sipas investigimit:
Ky raport nuk përfshin një zbulim të rëndësishëm arkeologjik të vitit 2010, një strukturë rrethore e dyshuar si pjesë e një sistemi mbrojtës të periudhës së Antikitetit të Vonë.
Nuk janë rekomanduar sondazhe arkeologjike për punimet nëntokësore, edhe pse zona konsiderohet me risk të lartë si dhe,
Punimet në terren kanë vijuar pa monitorim arkeologjik.
Prandaj, Partia Demokratike kërkon:
Hetimin në mënyrë të plotë dhe të pavarur të këtij rasti;
Të verifikohet integriteti i raportit arkeologjik dhe procedurave të ndjekura;
Të vendosen përgjegjësi për çdo shkelje ligjore apo profesionale;
Të garantohet mbrojtja reale e pasurive kulturore dhe transparenca e plotë për publikun.
Trashëgimia kulturore nuk mund të trajtohet si mall për t’u negociuar.
Ajo është pasuri kombëtare dhe detyrim ndaj brezave që vijnë.
Koha për përgjegjësi është tani.






