Nga Ben Andoni
Duket se të 27 vitet e jetës në demokraci nuk kanë qenë të mjaftueshme për shqiptarët që të kuptojnë se gënjeshtra dhe fshehja e të vërtetës është gati një normë në demokracitë e brishta, por jo vetëm. Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama, Lulzim Basha, si përfaqësuesit më të dukshëm të dy krahëve të mëdhenj të politikës shqiptare, jo vetëm nuk i janë shmangur trendit ndërkombëtar të premtimeve të politikanëve, por e kanë pasuruar me kontributin e tyre.
Në një demokraci ku politikanët synojnë për të marrë pushtetin ose për ta mbajtur sa më gjatë atë, një politikani i duhet të gënjejë në mënyrë të vazhdueshme lidhur me qëllimet e tij ose si të thuash duhet të manovrojë t’i ngatërrojë kundërshtarët në qëllimet e veta dhe shpesh duhet të tregojë një kinse fytyrë tjetër, nga ajo që njerëzve u duhet ta pranojnë.
E tillë po duket fushata zgjedhore 2017, që për herë të parë, pas shumë e shumë fushatave zgjedhore të përgjithshme dhe lokale është privuar nga ofendimet e rënda dhe denigrimet apo edhe përplasjet fizike, krejt të zakonshme në të shkuarën. Të ketë ndodhur gjë ndryshe, sa i përket përmirësimit të individit shqiptar ose modelit homo–albanicus?
Këtë s’e beson askush, ashtu si dihet që në fakt s’ka ndodhur asgjë, përveçse dy krerët e partive kryesore në vend, respektivisht nga PS-ja dhe PD-ja e Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë përshtatur ligjërimin e tyre politik. Edi Rama, për shkak të madhësisë së makinës së propagandës që ka në dispozicion, është bërë më populist, teksa i shmanget me kujdes premtimeve të pambajtura në katër vjet, duke fajësuar direkt aleatët, kurse kundërshtari i tij në lista, por njëkohësisht edhe aleati teknik Basha mundohet të bëjë një fushatë shumë pa nerv, duke e kritikuar pa e ngacmuar fare.
E gjitha po ndodh, pasi për herë të parë parashikimet presin që dy partitë kryesore në vend do të bashkëjetojnë edhe pas zgjedhjeve. Në një pakt ende të pazbardhur, që është realizuar në mesnatën mes 17-18 Majit, të dy fuqitë politike kanë kuptuar se mund të drejtojnë shumë më mirë të dyja, kuptohet me avantazhin e kryeministrit të ardhshëm për partinë që do grumbullojë më shumë vota.
Kjo i ka lënë disi me gisht në gojë shumicën e partive të vogla në vend, që nuk e prisnin këtë kthesë të jashtëzakonshme nga dy rivalet. Gënjeshtrat dhe mënyra sesi e bënë kthesën nuk mjafton edhe për një almanak të tërë sociologjie, që ta shpjegojë si duhet.
Megjithatë, gënjeshtra më e këndshme ka qenë ajo që është bërë nga përfaqësuesit e opozitës që premtojnë për një republikë të re. Dhe, nuk mbaron këtu, sepse fjala që dëgjohet më shumë në këtë fushatë zgjedhjesh është mbiemri “e re” për një “republikë të re”, “rifillim të ri”, “administratë e re”, e sigurisht që mungon fjala “njeriu i ri”.
“Që të kemi një republikë, siç e gjejmë në historinë e mendimit dhe praktikës europiane, duhet që republika të përbëhet jo thjesht nga njerëz, por nga qytetarë që mendojnë në mënyrë karteziane, domethënë që dyshojnë për ato që u thonë drejtuesit e tyre. Që kjo republikë që kemi krijuar nuk i do qytetarët dinjitozë, por do njerëz që edhe pse jetojë në shtëpi që janë gati duke rënë, të ndihen krenarë për kullën e qytetit, apo sheshin më të bukur të qytetit, apo se drejtohen nga udhëheqësi më i madh në botë. Që të kemi një republikë demokratike, duhet që në themel të saj të qëndrojë barazia e kushteve, jo barazia e individëve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shpalosen aftësitë e njerëzve që do të rekrutohen në çështjet publike”, shprehet për “Citizen”, profesor Gjergj Sinani.
Ekziston një postulat, i cili duhet vlerësuar si ajo që mund të përcaktojë karakterin e një politikani. Një politikan është i zoti për aq kohë, sa mundet të mbajë mbi vete intensitetin e fyerjeve dhe pështymën e publikut në drejtim të tij. Në fakt, politikanët me përvojë kanë një personalitet që i lejon ata të jenë të paqortueshëm, të jetojnë me gënjeshtra dhe të mbajnë një fytyrë kinse të drejtë. Anipse nuk munden të gjithë njerëzit ta bëjnë këtë. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz nuk janë të gatshëm të shërbejnë në një rol politik.
Politikanëve u duhet të gënjejnë paq, pasi është e vërtetë se në kohën e sotme, gënjeshtra është bërë jo vetëm një “lubrifikues social”, që vë në lëvizje makinën e madhe e të kushtueshme të çdo fushate elektorale, por përbën një “teknikë politike” për të fituar ose mbijetuar”.
“Lie or Lose! (Gënje ose humb!)”, shkruante pak kohë më parë gazeta britanike “The Indipendent”, e sillte për publikun shqiptar si përcaktim një sociolog i njohur shqiptar.
/javanews.al/