Nga: Skënder Minxhozi
Kushdo mund ta quante një rikthim tek vlerat dhe një mohim parimor të llogarive elektorale e aleancave fluide, deklaratën e sotme të kreut të grupit parlamentar Paloka. Ai ftoi sot publikisht për bashkëpunim Bamir Topin “me kusht që të jetë për rrëzimin e qeverisë”, duke i mbyllur njëkohësisht derën në fytyrë atyre që duan një aleancë “bis” me Ilir Metën. Paloka e cilësoi LSI si “pjesë e së keqes”, duke u shprehur se PD do të bëjë koalicion me cilëndo parti, por jo me të.
Siç shihet, PD ka bërë një lëvizje të fortë me dy synime të njëkohshme: t’i dërgojë një mesazh bashkëpunimi FRD, por dhe t’i dalë para zërave që qarkullojnë për një afrim të mundshëm me LSI. Janë që të dyja gjeste të forta dhe që duket se kanë qenë të mirëmenduara paraprakisht.
Pozicionimi surprizë i Bashës në lidhje me Metën, devijon komplet nga teza e vjetër se “kush ka LSI, merr shumicën” dhe duket se pasqyron më së shumti linjën politike të kryetarit aktual të partisë. E cila, në këtë aspekt ndryshon kryekëput nga ajo e Berishës. Jo vetëm në rastin e Metës, por edhe në atë të Bamir Topit, i cili është parë tradicionalisht nga ish-kryeministri si një politikan-armik, me të cilin s’mund të kishte bashkëpunim në asnjë rrethanë. Sidomos pas 21 janarit të pesë viteve më parë, kur presidenti i atëhershëm Topi u konfrontua hapur me qeverinë Berisha.
Ftesa për Topin shënon një hapje të rëndësishme të PD zyrtare, ndaj një forcë politike, më saktë ndaj një figure politike, e cila në të gjitha sondazhet e popullaritetit të dekadës së fundit, ka dalë praktikisht e para brenda spektrit të djathtë. Në kushtet kur opozita vazhdon të qëndrojë e tkurrur dy vjet e gjysëm pas zgjedhjeve të fundit parlamentare pa emra dhe pa ide, “pista ” Topi përbën një lëvizje interesante, e cila, nëse do të përkthehej në një bashkëpunim real, do t’i jepte opozitës një kartë të munguar në këtë fillim-viti, kur sheshet e protestës vijojnë të mbeten gjysëm bosh dhe kur e djathta vazhdon të mos ketë një platformë të vërtetë për largimin e së majtës nga qeverisja.
Nga ana tjetër Basha konfirmon indirekt, përmes këtij qëndrimi, se nuk e ka në axhendë një bashkëpunim afatgjatë me LSI, si ai që nisi pas zgjedhjeve të vitit 2009 mes Berishës dhe kreut të LSI dhe që garantoi katër mandatin e dytë të së djathtës në pushtet. Basha ka qenë prej kohësh në marrdhënie të ftohta, madje armiqësore, me kryetarin e Parlamentit, aq sa ai është akuzuar në më shumë se një rast se po ndjek një korsi preferenciale bashkëpunimi me Ramën. Cilado qoftë e vërteta e kësaj zhurme që qarkullon prej muajsh në korridoret e politikës shqiptare, PD sqaroi sot me gojën e numrit dy të saj, një nga dilemat e mëdha të viteve të fundit. E cila ka të bëjë me flirtin PD-LSI, që ka lëvizur shumë ujra në skenën tonë politike pas vitit 2009. (javanews.al)