Sulmi ndaj hotelit në Tushemisht, shkon në 7 numri i të arrestuarve

Lexo edhe

Shkon në 7 numri i të ndaluarve në lidhje me dy sumet e armatosura në një hotel në Tushemisht.

Në operacion morën pjesë DVP Korçë, Komisariati i Policisë Pogradec, DVP Tiranë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën Drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Në kuadër të hetimeve proaktive të koordinuara nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të ndjekura nga strukturat hetimore të DVP Korçë dhe të DVP Tiranë, u arrit të lokalizohej baza ku fshihej organizatori dhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen në Tushemisht.

Si rezultat, strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, në bashkëpunim të ngushtë me DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Pogradec, Forcat e Posaçme Opreacionale në DPPSH, si edhe Repartin Special RENEA, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, falë koordinimit të veprimeve dhe përdorimit të dronit finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Driloni” si rezultat i të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

• Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);

• Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në Lushnjë (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës);

• Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”).

Shërbimet e Forcave Operacionale kanë bërë kapjen në flagrancë të tyre në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja, i cili dyshohet se ka përkrahur pas kryerjes së krimit, shtetasin Meardi Berberi, duke i mundësuar kushte dhe mjete për jetesë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 thikë, krehra, sasi municioni luftarak, të cilat i posedonin pa leje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, sasi monetare në lek dhe euro.

Gjithashtu janë sekuestruar pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit që dyshohet se janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, të cilat do dërgohen për ekzaminim ne laboratorin shkencor.

Shtetasi Meardi Berberi, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Berberi (i ndaluar), të dy në rolin e organizatorëve, si edhe shtetasi Anterio Kaloshi në rolin e ekzekutorit, më datë 08.08.2020, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, djalin e pronarit të hotelit, shtetasin J. M., ku si pasojë e të shtënave me armë, janë dëmtuar godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

Gjithashtu ndaj shtetasit Meardi Berberi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, kryer në bashkëpunim”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3, përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe të IEVP-së gjatë kryerjes së detyrës.

Ndërsa ndaj shtetasit Anterio Kaloshi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 07.03.2018, në lagjen nr. 1, në Korçë, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë kanë vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, mjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit E. G.

Gjithashtu ndaj Anterio Kaloshit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 11.10.2017, në lagjen “Loni Dhano” Lushnjë, ku dyshohet se Kaloshi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri tip automatik shtetasit Z. L., dhe J. H., si edhe kanë plagosur shtetasit M. Xh. dhe B. T.

Nga ana e Policisë po vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim B. S., në kuadër të këtij operacioni.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec vijon puna për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke i garantuar qytetarëve rend e siguri dhe në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo lloj paligjshmërie, pasi bashkërisht ndërtojmë një ambient më të sigurt për të gjithë shoqërinë.

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *