Duke folur për inceneratorët, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur për emisionin ‘Pa Censurë’ në RTSH është shprehur se SPAK duhet të vejë gishtin në plagë.
Pjesë nga Intervista
-Meqë jemi këtu, Partia e Lirisë, 2 vitet e fundit ka qenë aktive në denoncimin e aferës së incineratorëve me fakte konkrete. Por së fundmi, duket sikur nuk flisni më për të, madje as tani që kanë dalë prova të reja për ish ministrin Ahmetaj. Ka ndodhur diçka?
Ilir Meta: Tani, unë për këto çështjet e provave kam provën e Edi Ramës dhe të Engjëll Agaçit. Kur unë kam qenë kryeministër, asnjë vendim, asnjë projektligj nuk është miratuar, nëse një ministër dilte kundër, veçanërisht kur dilte kundër Ministri i Financave apo Drejtësisë.
– Në rastin e incineratorëve iku Ministri i Financave, erdhi zoti Ahmetaj.
Ilir Meta: I vetmi rast që është diskutuar dhe shtyrë katër herë mbledhja e qeverisë është rasti kur Edi Rama nuk i bënte dot letrat sipas ligjit për projektin e fasadave të ministrive, sepse e kundërshtonin ministrat e financës dhe drejtësisë, derisa u bënë letrat në rregull. Pra, kur ishte ministër dhe e dinte si ishin rregullat, e kishte të vështirë të bënte letrat sipas Kushtetutës, mendo ç’ka bërë tani. 17 vendime në një mbledhje qeverie për të cilat duhen të patën 6 muaj. Këto janë bërë me imponimin e tij dhe të Sekretarit të Përgjithshëm, që ka përgjegjësinë ligjore për mbledhjen e qeverisë dhe për përputhjen e vendimeve me Kushtetutën dhe ligjin.
Janë bërë në kundërshtim me opinionet e Ministrit të Financave, që janë hequr disa prej tyre, të ministrave të tjerë, të drejtorit të prokurorimëve që ka thënë se kjo është një procedurë e paligjshme. Letrat dhe faktet janë shumë të qarta. Paska dalë një problem me zotin Ahmetaj? Pa asnjë diskutim, (të veprohet) për të gjithë, nuk është ky problemi ynë. Por që ne të mos shohim apo të mos vëmë gishtin në plagë, dhe gishti në plagë është Edi Rama kryeministër, dhe të shohim ato që lëshon Edi Rama me ata të vetët jo fjeti ky këtu, jo fjeti ai atje. Me ato të merret SPAK.
– Kjo nuk është vetëm çështje fjetjeje. Çështja është që ai nuk i ka deklaruar këto shpenzime sipas ligjit.
Ilir Meta: Patjetër, të merret.
-Ndërsa për zotin Rama nuk kemi fakte të ngjashme. Kemi pjesën e procedurës po.
Ilir Meta: I kemi të gjitha faktet për shkeljen e ligjit. Është i paralajmëruar nga ministrat, nga drejtorët e agjencive të qeverisë së tij për shkelje të ligjit dhe përsëri është miratuar me imponim, me dhunë. Pra, drejtësinë me regji nuk e pranoj dot. Ka nevojë PS të shmangë vëmendjen nga diçka? Nxjerr një lajm nga ky institucion i drejtësisë. Ndërkohë rezultati është që Shqipëria e para për korrupsion. Ky është rezultati i reformës në drejtësi? Jemi në kushtet e një mungese totale transparence, paligjshmërie dhe të lulëzimit të korrupsionit. Këtë gjë nuk mund ta mbulojmë me protagonizma nga më të ndryshmet, të kujtdo.
-Pra po thoni që tek drejtësia me regji ka marrë pjesë dhe ambasadorja amerikane, meqë u shprehët kështu?
Ilir Meta: Kështu u shprehët ju.
-Ju thatë se qeveria shpik një lajm dhe ju i shkoni mbrapa, sikur kjo e SPAK-ut është e rëndësishme.
Ilir Meta: E rëndësishme është të kemi rezultate, jo të kemi vonesa, siç pati vonesa në çështjen e incineratorëve, sepse faktet kanë dalë 3-4 muaj para zgjedhjeve, por nuk u bë asnjë veprim, edhe pse u bënë denoncimet zyrtare dhe publike, me numra llogarie, me shkresa, me emra kompanie. Janë qindra milionë euro që janë denoncuar për evazion fiskal, por nuk ka asnjë veprim, asnjë hap për këtë gjë.
– I dini se kush ka përfituar prej tyre?
Ilir Meta: E di Rama. Kush do që të bëjë amnistinë fiskale? Edi Rama. Iu dogj shpirti atij për shqiptarët? JO. E do për këto gjëra, siç do që të bëjë edhe për Portin e Durrësit, ta kthejë Shqipërinë në një vend të pastrimit të parave të kësaj bande që qeveris vendin dhe nuk ka asnjë nga vlerat e dikurshme të PS, të rilindjes dhe mafias ndërkombëtare.
– Jeni dakord me qendrimon e mbajtur nga PD se SPAK është një seksion i PS, që po përdoret për gjah ndaj opozitës?
Ilir Meta: Rama e ka thënë vetë se SPAK-u është një krijesë e PS. Në funksionet që kam patur, kam bërë gjithçka për të parandaluar kapjen e drejtësisë dhe shkatërrimin e reformës. Tani bëhet një përpjekje e madhe për të shpikur fajtorë dhe ngjarje, që nuk e forcojnë shtetin e së drejtës. Përkundrazi!