Parlamenti pritet të nisë sot diskutimet maratonë për projektbuxhetin e vitit 2025, ndërsa opozita do të jetë pjesë e diskutimeve, por jo e miratimit, që pritet të jetë të martën vonë.
Në ditën e miratimit, konkretisht të martën, opozita do të protestojë me qytetarët kundër buxhetit. Por në momentin kur buxheti do të miratohet nen për nen, opozita do të depozitojë disa amendamente, që u vijnë në ndihmë qytetarëve.
Lideri demokrat, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të pengojnë miratimin e këtij akti, që e quan “buxheti i vjedhjeve”.
Kuvendi pritet ta votojë buxhetin në parim në fund të ditës së martë, kohë në të cilën, opozita ka thirrur një protestë përpara Parlamentit.
Opozita nuk e ka bojkotuar në debate në Komisione, ndryshe nga disa vite më parë.
Paravarësisht se ky buxhet është më i madhi ndër vite ai nuk parashikon rritje pagash dhe nuk ka fond të paracaktuar për rritje pensionesh gjatë vitit 2025.
Po ashtu ky buxhet nuk përfshin shtimin e financimit për mbrojtjen sociale apo ndihmesën e shtresave në nevojë.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi dje në lidhje me buxhetin që po diskutohet në Kuvend, duke e vënë theksin te çështja e pensioneve. Deputeti demokrat argumentoi se, edhe pse Shqipëria i ka dyfishuar të ardhurat buxhetore në 10 vitet e fundit, mbi 500 mijë pensionistë i kanë të ardhurat reale aktualisht më të ulëta se në vitin 2014. Kjo shifër sipas tij, i rendit pensionistët shqiptarë me pensionet më të ulëta në rajon, në rastin më të mirë më pak se gjysma e pagesës së pensionistëve në Malin e Zi, Serbi apo Maqedoninë e Veriut.