Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm një reagim lidhur me një raport të BTI-së, që klasifikon vende të ndryshme lidhur me nivelin e demokracisë.
Bashkë me një pjesë të raportit, ku evidentohet se Shqipëria është më lart se vendet e tjera të Rajonit, veçanërisht në aspektin politik, Kryeministri publikoi edhe një hartë.
Në këtë hartë, kufijtë e Kosovës, në anën e Serbisë jepeshin me vija të ndërprera, çka ka sjellë edhe një seri reagimesh në rrjet.


Dhe pas komenteve të shumta pikërisht mbi mënyrën se si jepej kufiri i Kosovës në anën e Serbisë, Kryeministri apo stafi i tij që kujdeset për faqen në rrjetën sociale, ka ndryshuar foton.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri përballet me një seri akuzash në raport me Kosovën. Vite më parë ai u vu nën akuza publike lidhur me një plan për shkëmbime territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, çka duket se ka shtyrë shumë nga komentuesit e sotëm që të reagojnë ndaj hartës së parë të publikuar nga Edi Rama.
Po çfarë do të thotë kjo?
Në hartë, vijat e ndërprera përdoren për të treguar kufij të papërcaktuar qartë ose të kontestuar. Pra, një paraqitje e tillë lë të kuptohet sikur kufiri i Kosovës nuk është përfundimtar apo i pranuar plotësisht. Një mesazh i papranueshëm, sidomos kur vjen nga kryeministri i Shqipërisë.
Shqipëria është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe duhet të jetë mbështetësja e saj më e fortë në çdo aspekt. Publikimi i një harte të tillë krijon dëmton qëndrimin e qartë që duhet të mbajë Tirana zyrtare.
Bashkimi Europian, SHBA dhe aleatët ndërkombëtarë kanë theksuar vazhdimisht se kufijtë e Kosovës janë të pacënueshëm dhe nuk mund të vihen në diskutim, pasi për këtë kufi janë bërë sakrifica të mëdha dhe është derdhur gjak.
Por, lind pyetja: si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë të publikojë një hartë që lë hapësirë për interpretim mbi kufijtë e Kosovës?
Gabim teknik apo mesazh i qëllimshëm? Në të dy rastet, ky është një skandal që kërkon shpjegim.








