Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar me forcë dhe shqetësim të madh pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për të mos marrë në shqyrtim raportin e Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.
Pas një verifikimi që zgjati 20 muaj, në datën 19 janar 2026, Prokuroria e Përgjithshme përcolli në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultatet e verifikimit për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka, duke konfirmuar dënimin penal për falsifikim dokumentesh nga autoritetet greke në vitin 2005 dhe fshehjen e këtij dënimi në formularin e dekriminalizimit, përfshirë procesin e rivlerësimit kalimtar dhe emërimit në Gjykatën e Posaçme.
11 ditë më pas, në kundërshtim me detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi marrjen në shqyrtim të raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, duke ia përcjellë për kompetencë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedent e KLGJ-së, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve organike që e ngarkojnë me marrjen e vendimeve për rastet e papajtueshmërisë dhe pazgjedhshmërisë së gjyqtarëve, ngre pikëpyetje të forta për pavarësinë dhe paanshmërinë e organit të qeverisjes të pushtetit gjyqësor.
Dërgimi për kompetencë ILD është një përpjekje e qartë për ta zvarritur akoma edhe më tej këtë çështje, me pasoja shumë të rënda për pushtetin gjyqësor, të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Për Këshillin e Lartë Gjyqësor duket normale që një gjyqtare e dënuar me vendim penal të formës së prerë të vazhdojë gjykimim në Gjykatën e Posaçme, duke minuar kështu qoftë qëllimet e ligjit të dekriminalizimit të miratuar në vitin 2015, ashtu edhe të paketës kushtetuese dhe ligjore të Reformës në Drejtësi të miratuar në vitin 2016.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të paligjshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kërkojmë nga anëtarët e ndershëm të këtij Këshilli që të kërkojnë sërish përfshirjen në axhendë të kësaj çështje, me qëllim garantimin e integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë së organit të qeverisjes së sistemit gjyqësor. Po ashtu, i bëjmë thirrje Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të kërkojë menjëherë nga KLGJ deklarimin e mbarimit të mandatit për gjyqtaren e dënuar.
Çdo sjellje e ndryshme e KLGJ-së dhe ILD-së vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, si dhe cënon rëndë parimet e shtetit të së drejtës, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.








