Lidhur me situatën e zjarreve në vend, pasditen e sotme kanë mbërritur dy avionë grekë, ndërsa pritet që të vijë edhe një nga Italia.
Po ashtu, bëhet e ditur se BE-ja i ka ofruar Shqipërisë sistemin e hartave të Satelitit Copernicus, në mënyrë që të bëhet një vlerësim i dëmeve të shkaktuar nga zjarret.
Pas ndihmës që kërkoi ministri Bushati, zyra e shtypit konfirmoi nisjen e dy avionëve nga Korfuzi.
Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë me dije se Bushati ka siguruar mbështetje nga homologu grek dhe dy avionë u nisën nga Korfuzi për të ndihmuar njësitë shqiptare që po luftojnë me flakët në jug të vendit. Gjithashtu, ministri Bushati i ka kërkuar ndihmë edhe homologut italian, Angelo Alfano, i cili po ashtu i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për ndihmë.
Ai ka siguruar se një avion do të vijë nga Pulja për të ndihmuar Emergjencat Civile në shuarjen e zjarreve.