Sipas ndjesive të mija dhe gjërave që kam parë e kuptuar, fshati do trupa robustë, nuk pëlqehen femrat elegante. Këtë model bukurie kishin dikur shqiptarët, me sy e flokë të zeza, vetëm këto ishin të bukura.
Ishte në disfavorin tuaj kjo, por jo vetëm…! Ju akuzonin gjithashtu se paraqitja e jashtme, përfshi edhe flokët e verdhë, ishte në kundërshtim me situatën revolucionare…?!
Flokët e mi natyral kanë qenë të verdhë, sikundër tani, edhe pse koha ka bërë që të ndërhyj mbi ta, por pamja ime e jashtme në përgjithësi i përngjante një imazhi evropian. Përveç tipareve natyrale, edhe ndaj veshjes kam treguar gjithnjë kujdesin e duhur. Asnjëherë nuk pranova të ngjallja mëshirë duke pasur imazhin e një gruaje të lëshuar, të veshur keq. Ky vendim mund të sillte edhe pasoja.
A ka pasur situata në të cilat, pikërisht për këtë, jeni ndjerë e kërcënuar?
Situata të tilla krijoheshin vazhdimisht, por më kujtohet një rast, sapo mbërrita në Berat, e veshur mirë, me kujdes, dikush më ndal në një lulishte. “Me veshjen tuaj – tha – ju provokoni, duke qenë armike e popullit. Jo vetëm që nuk kanë për t’ua hequr dënimin, por kërcënoheni me internim të përjetshëm”.
Sikundër ju, spikasin në një fragment në libër, përpos veshjes, edhe këpucët blu, italiane, të Ardianit, djalit tuaj…a ishin ato një nga gjërat e mbetura nga koha, kur ende nuk ishit ndarë me bashkëshortin, apo ai siguronte të mira materiale për të në vazhdimësi?
Im bir dallonte nga të tjerët, sepse ishte i veshur mirë për shkak të udhëtimeve të të atit jashtë shtetit. Sa herë udhëtonte, deri në kohën që ishim bashkë, jo më pas, i sillte rroba apo këpucë. Disa prej tyre që kishin qenë të mëdha, i shërbyen në vitet pasardhëse.
Pra, asnjë kontakt i mëvonshëm me të qysh prej ndarjes, që, për shkak ndoshta të një vendimi tuajin, nuk duket të jetë fort e qartë…?!
Jo, asnjë. Im bir e ka takuar të atin pas 25 vitesh në një situatë fare rastësore.
Në 16 vitet e gjata, Vera Bekteshi, ka hasur jo pak njerëz për të cilët edhe të dojë, nuk mundet të ushqejë respekt. E që, megjithëkëtë, as në libër e as në rrëfimet e saj jashtë tij, nuk ka pranuar që të vazhdojë t’i godasë. Edhe pse, në forma të ndryshme, ironike e auto-ironike, i ka cekur. Ama, sado i parëndësishëm të jetë për të tani momenti i ndarjes së saj nga i shoqi, ngelet fakt real, dhe jo aq kalimtar, në jetën e saj. Sado ta ketë harruar a ta shpërfillë, proçes ky fare i natyrshëm krahasuar me peripecitë që do pasonin, në një çast do duhet përshkruajë të paktën….
Si ndodhi?
Kur ndodhi dënimi i tim eti, morën urdhër të gjitha nuset e dhëndurët të ndaheshin nga bashkëshortët përkatës. Në këtë kohë, im shoq ishte në Amerikë, meqë ishte diplomat. Natyrisht që u urdhërua të kthehej menjëherë dhe ka shkuar direkt nga aeroporti në mbledhje partie. U kthye prej andej rreth orës 4 të mëngjesit. Nuk duhej shumë për të kuptuar qëndrimin e ftohtë, dhe as arsyen pse.
E mora me mend sakaq, jo vetëm që ishte ndikuar por, që e kishte dhënë fjalën e tij. Madje më kujtohet që u ktheva atëherë nga një provim i rëndësishëm, pas të cilit më puthi në ballë e më tha: “Ti je e zonja!”. Nënkuptohej që nuk ishte vetëm për shkak të rezultatit të provimit, por pse do isha e zonja të kaloja edhe atë çka më priste më pas.
Sa zgjati kjo situatë tensioni e ç’përjetim a shije la?
Nga vendimi deri në ndarje, zgjati rreth një muaj. Unë nuk pata dhimbje pse u ndava nga ky burrë, sepse në fund të fundit, as që e doja. Isha martuar me të, për shkak të pozicionit të punës që kishte. Veçse u fyeva, se si mund të prishej familja vetëm nga një urdhër.
Po nëse do t’i kishte ndodhur atij, mund ta hamendësoni qëndrimin tuaj?
Unë këtë gjë e tregova, nuk e braktisa familjen time, asnjë prej nesh nuk e bëri, as ime më, sepse me të tillë model ishim rritur, atë të një familjeje të shëndoshë.
Veçse, në libër, thoni se udhëheqëset tuaja shpirtërore ishin gjyshet, jo nëna…?!
Po, është e vërtetë, gjyshet përfaqësojnë për mua mençurinë popullore, sepse ato ishin të paarsimuara, ama ishin të mençura e shumë të mira. Kam vënë re që këshillat që kam zbatuar në jetë kanë qenë prej tyre e jo prej sime mëje. Që, nga ana tjetër, ka qenë edhe ajo një grua e jashtëzakonshme, por goxha më e indoktrinuar, ndërsa unë, jo. Asnjëherë nuk jam përpjekur të hyj në parti, edhe pse nga kjo do kisha avantazhet e mija.
Sidoqoftë, në libër disa gjëra thuhen të cunguara, të tjera të plota?
Sepse është edhe në vlerësimin e redaktorit vlera e librit. disa prej ngjarjeve apo detajeve, Ardian Klosi, më thonte shpesh, me të drejtë, siç kuptoja më vonë, t’i hiqja. Ngelet gjithsesi vend në dorëshkrimet e radhës.
Në vitet e internimit, a mundeshit ju të kishit miq apo mikesha, bashkëvuajtës fundja, me të cilët të mund të flisnit qoftë dhe për të ndarë një dhimbje të përbashkët…? Mund të jetë lehtësuese por, a ishte e mundur?
Bashkëvuajtës dhe mbështetës të vërtetë në atë kohë mund të kishe vetëm familjen tënde. Ishte e vështirë t’i besoje kujt tjetër, ose më mirë, frika ishte shumë e madhe për të folur. Në momente të caktuara edhe mund të shpërtheje, por nuk e bëje në mënyrë të ndërgjegjshme. E bëje se nuk mund të mbaje më.
Cilat kanë qenë disa nga këto momente?
Më kujtohet Xha Tofiku, me të cilin ndeshesha në kultivimin e duhanit, arrija ndonjëherë të shpërtheja e të thosha gjëra, siç mund të ketë qenë ndonjë përgjigje për Stalinin, për të cilën mund të më burgosnin, por ai nuk më dekonspiroi.
Situatë e ngjashme ishte edhe kur më vranë djalin e hallës. Arrita t’i them një bashkëvuajtëses sime se, do vij një ditë, kur ai që u vra të bëhet dëshmor, dhe ashtu ndodhi. Mirëpo ta thoshe këtë, duhet të llogarisje pasojat, por as ajo nuk foli. Duhet të ketë qenë njëfarë nuhatje instiktive…!
Keni pasur edhe miq të tjerë që janë pyetur rreth jush, e me të cilët ju vetë keni pohuar se ruani marrëdhënie të mira, i keni marrë vesh ndonjëherë përgjigjet e tyre?
Kam patur plot miq me të cilët kam bërë biseda,prej të cilave nuk ka dalë asgjë, Spartak Ngjela, Vladimir Balluku, Fatos Klosi, apo banor të thjeshtë të fshatit Kutalli. Ngjela më pat thënë se, kur e kishin thirrur për ta pyetur se ç’mendonte për mua, ishte përgjigjur se isha një vajzë shumë e bukur dhe inteligjente por, që kisha një problem të madh, adhuroja Enver Hoxhën.
Mandej, kur kishin vijuar ta pysin në do donte të kishte një marrëdhënie me mua, kishte thënë po, vetëm se preferonte më së shumti të lidhej me gra apo vajza të punonjësve të Sigurimit. E gjitha një ironi që i kishte bërë marsit në pyetje, ta largonin duke i thënë – me ty nuk flitet!
A mundët ju në fakt, më pas, të krijonit me një burrë një marrëdhënie prej së cilës të ndiheshit e mbushur, e sigurt, e që të ishte e shëndetshme, ndryshe nga ç’rezultoi e para?
Po, kohë më vonë arrita të krijoj një marrëdhënie shumë të mirë, që megjithëse ka mbaruar, më ndihmoi, më bëri të harroj një pjesë të vuajtjeve të internimit. Apo më mirë, të dy ne ndihmuam njëri-tjetrin. Vazhdojmë të jemi miq të mirë.
Pse, ishte edhe ai pjesë e vuajtjeve të asaj kohe?
Jo, por mund të kishte vuajtje a mangësi të tjera, u ndihmuam reciprokisht.
Nga e gjithë ajo kohë, për pasojat e së cilës Vera Bekteshi është ndihmuar jo vetëm nga një, por të gjithë miqtë e mikeshat e asaj periudhe që nuk humbi asnjëherë, i kanë ngelur sidoqoftë disa detaje, së cilave nuk mund t’iu shpëtojë. “Tani e kuptoj –shpjegon – pse fotografja e talentuar Jutta Bezenberg, kur i pozoja për foton e librit, më thosh të vështroja drejt me synimin e qartë për t’i thënë lexuesit se, dua t’ju tregoj gjëra me rëndësi”.
Vëren, kur e sheh veten në ritransmetimet e intervistave televizive, që, përveç se nuk i mban sytë drejt shikuesit, por gjithnjë poshtë ose anash, për shkak të mos përvojës, zëri i saj i tingëllon i huaj. Ato 16 vitet e internimit, i kanë mundur këta 40 e ca të tjerët, pra, dominon në të folurën e saj aksenti beratas. Si një vajzë e ish-“Bllokut”, që fliste pastër gjuhën zyrtare, ajo nuk mund t’i bëjë bisht këtij ndryshimi.
Në kohët e para, pas përfundimit të internimit, ndryshimi i gjuhës ishte qartësisht i dukshëm, por siç duket ende edhe sot, 20 vite më pas, dallohen gjurmët e një kohe që s’mund të harrohet e që shenjat më të forta i lë nën lëkurë, nën vështrim…e që të gjitha rrëfimet, edhe ato që do pasojnë në tregimet e ardhshme që Vera ka në duar, mund të jenë vetëm gjysma e ajsbergut, themelet e të cilit nuk dihet ku janë.
Brenda shishes së parfumit…!
…Lime, trëndafil, luleshpatë, jasemin, violet, iris… janë këto aromat e parfumit “Lanvin”, që të përziera së bashku, e shoqëruan Vera Bekteshin përgjatë 16 viteve të internimit. Me lindjen e djalit, i shoqi i pati sjellë nga jashtë këtë një set, në të cilin ishte parfumi dhe një kuti me pudër.
E mori me vete setin bashkë me premtimin, që i bëri vetes se, ky parfum do ta shoqëronte deri në fund të dënimit të saj. Kujdesej përherë, që të hidhte vetëm një pikë në flokë, pas çdo here që lahej në lumë. Duhet ta përdorte me kursim, sepse nuk dihej sa vite do zgjaste periudha e errët.
Aq me kursim sa, që jo vetëm i mjaftoi, por teproi! Ndërsa në kutinë e pudrës të cilën nuk e përdori asnjëherë, nuk mund të përdorej pudra në fshat, shihte të gdhendur sipër fjalët ‘Lanvin’ i linjës ‘My Sin’ (mëkati im). Fjalët e fundit, Bekteshi i lexonte My Son (djali im), ngase dhurata e ardhur për lindjen e tij, i dukej sikur ishte krijuar enkas për ata të dy.
“Dy gjëra do t’i pëlqeja veçanërisht tek im atë, të qeshurën e tij jo shumë të shpeshtë por, me gjithë zemër, me gojën plotë dhëmbë të mëdhenj e të bardhë dhe mënyrën se si e pinte cigaren. Asnjëherë nuk takova një burrë t’i përngjante, por në fakt, as që e morra mundimin për këtë.
Prej tij mësova për herë të parë se jeta dhe njerëzit nuk janë tamam ashtu si na shfaqen, dhe se nuk duhet t’i marrim fare seriozisht të thënat e tyre, përndryshe mund të lëndohemi, gjë që për fat e mësova shumë herët, nga ngjarja me qengjin. Duhet të isha nja 4 vjeç, duke luajtur në fushën pranë pallateve të Moskatit, që aso kohe ishte goxha fushë me bar, ku kullosnin bagëtia e fshatarëve, të posa anëtarësuar në kryeqytet.
Midis dhënëve që po kullosnin, ishte një qengj i vogël, po kaq i bardhë e kaq i bukur, sa më mbetën sytë te ai dhe desha ta kisha. Me shumë ndrojtje ju afrova bariut të krye-qytetëruar dhe i thashë a i shiste qengjat, sepse pashë që ai dha disa përpara syve të mi, në këmbim të një shume parash.
Më tha se po, dhe kur e pyeta sa kushton, m’u përgjigj ‘vetëm 10 lekë’. Me një frymë shkova deri në shtëpi ku gjeta babanë që po flinte në vapë dhe duke u zgjuar (ai nuk më bërtiti, por as më puthi), i tregova për rastin fatlum për të blerë një qengj me 10 lekë.
-Një qengj kushton më tepër se kaq – m’u përgjigj ai, – po bariu të ka thënë ashtu sepse, e di se ti nuk ke ku ta mbash. Me këtë rast kuptova se të mëdhenjtë tallen me fëmijët dhe se fjalët e tyre, s’mund t’i marrësh menjëherë siç i dëgjon.
Nuk mund ta shpjegoj por gjithnjë kam parashikuar gjithçka të mirë e jo të mirë që do t’i ndodhte fëmijës së vetme dhe të mrekullueshme që linda. Kur ma treguan, mbasi e kishin pastruar, pashë një fytyrë të vockël ezmere, me shumë flokë të zinj dhe një palë sy të mëdhenj që, në fillim dukeshin si blu, ishte krejtësisht si në ëndrrën që kisha parë një muaj më parë.
-Mirë se erdhe në këtë botë të egër, bir! – i thashë, ‘të egër’ thjesht si një mënyrë të shprehuri, pa e ditur se veçanërisht për të, bota do të ishte vërtet e egër, që në vitin e parë të jetës.
Fëmijën e porsalindur nuk ta jepnin aspak në duar si në skenat prekëse të filmave, thjesht ta tregonin të mbështjellë, para se të bënin banjën e pastrimit nga lëngjet mbrojtëse dhe ushqyese të trupit të nënës.
/Memorie.al/