Një i ri me iniciale Andrea. M është përballur me një situatë të pazakontë në Tiranë. Ai është dhunuar teksa po priste vajzën që dashuronte nga katër persona të cilët e kanë sulmuar me shkopinj bejsbolli dhe sende të forta.
Ngjarja është regjistruar në zonën e Yzberishtit, ku Andrea.M, ishte afeksionuar pas një vajze të cilës i ka shkuar deri pranë banesës së saj. Andrea. M, ka kërkuar të takojë vajzën me të cilën kishte rënë në dashuri dhe me shpresën se vajza do i dilte në takim, ka qëndruar tek zona e rreth-rrotullimit të Yzberishtit për ta takuar.
Por befas në këtë takim, nuk ka dalë vajza që ai dashuronte por 4 persona të panjohur prej tij, që sipas Andreas, mbanin në duar sende të forta dhe shkopinj bejsbolli.
Andrea.M., është sulmuar befasisht prej tyre duke e rrahur dhe hequr bluzën që mbante veshur.
Autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa i dëmtuari është konstatuar nga një patrullë policie, e cila e ka shoqëruar në komisariatin nr.6.
Ai ka depozituar kallëzim penal, ndërsa tashmë hetimet për këtë ngjarje kanë nisur nga oficerët e komisariatit nr.6 në Tiranë, me shpresën e identifikimit dhe arrestimit e 4 personave që dhunuan me sende të forta, Andrea.M.
Pas kallëzimit penal policia ka identifikuar dhe shoqëruar vajzën që Andrea dashuronte, e cila pasi është marrë në pyetje dhe ka treguar çfarë dinte rreth kësaj ngjarje, është lënë sërish e lirë.