Pas shkarkimit të Ilir Prodës, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në njoftimin zyrtar të ndarë për mediat, janë përcaktuar edhe kriteret e personave që do të garojnë për këtë post.
Sipas njoftimit aplikantët duhet të kënë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të ketë shtetësi shqiptare, të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë, të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse etj.
Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë. Afati i dorëzimit të aplikimit është deri në 11 mars 2026.
Kujtojmë se, Ilir Proda u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit më 1 mars 2026, me vendim të miratuar nga qeveria. Vendimi është botuar një ditë më parë edhe në Fletoren Zyrtare.
Ai u shkarkua me pretendimin se nuk arriti të garantonte siguri për qytetarët në protestën e organizuar nga Partia Demokratike më 28 shkurt.
Në vend të Prodës, është komanduar Sokol Bizhga, i cili deri atëherë mbante detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, derisa të përzgjidhet drejtori i ri.
Njoftimi
Në mbështetje të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Punëve të Brendshme shpall thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
APLIKANTI DUHET TË PLOTËSOJË KËTO KRITERE
Kritere të përgjithshme:
a) mban njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
b) të ketë shtetësi shqiptare;
c) të mos ketë qenë i dënuar për kryerjen e një vepre penale, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ç) të mos ketë marrë masat disiplinore të përcaktuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të pikës 1 të nenit 123 të ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, brenda 5 viteve të fundit (ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se 1 vit; shtyrje e afatit të gradimit deri në 5 vjet; ulje me një gradë për një periudhë deri në 5 vjet);
d) të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse.
dh) të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës, në përputhje me legjislacionin për konfliktin e interesit.
DOKUMENTACIONI, MËNYRA, AFATI I DORËZIMIT DHE VLERËSIMI
Kërkesë me shkrim e aplikantit, drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme, për të shprehur interesin për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Kërkesa me shkrim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:
a) jetëshkrim i përditësuar;
b) platformë personale e qëllimeve dhe objektivave që kandidati propozon të ndjekë. Ky dokument duhet të jetë punë origjinale e kandidatit dhe nuk duhet të kalojë 20 faqe, në llojin e shkrimit Times Neë Roman, madhësia 12, me një njësi hapësirë mes rreshtave;
c) vetëdeklarim sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave të zgjedhur, emëruar ose që marrin funksione publike”;
ç) dëshmi të gjendjes gjyqësore lëshuar nga organi kompetent shtetëror, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
d) vërtetimin/dokumentacionin e përshtatshëm që provon përvojën e punës së kandidatit për pozicionin për të cilin konkurron;
dh) rezultatet e vlerësimit profesional dhe etik të kandidatëve në punët që kanë bërë në të shkuarën, nëse ka, apo rezultatet e arritura gjatë përvojave të tyre të punës, që lidhen me ushtrimin e funksioneve në fushën e rendit dhe sigurisë;
e) rezultatet e arritura gjatë studimeve të larta dhe në trajnime dhe kurse të certifikuara, brenda dhe jashtë vendit;
ë) rezultatet e arritura gjatë studimeve pasuniversitare në fushën e rendit ose sigurisë;
f) kopje të noterizuara të dëshmive të gjuhëve të huaja, nëse ka;
g) kopje të noterizuara të gradës shkencore ose titujve akademikë, nëse ka;
gj) kopje të vërtetimit të besueshmërisë, të marrë nga komisariati përkatës, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
h) dokumentin shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, e lëshuar jo më herët se 3 muaj nga data e paraqitjes së shprehjes së interesit;
i) vetëdeklarim, që kandidati nuk është në konflikt interesi në ushtrimin e detyrës;
j) vetëdeklarim, që kandidati nuk është larguar nga puna më parë për shkaqe disiplinor dhe që nuk ka masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit.
VLERËSIMI
Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024 (shkarko Udhëzimin)
Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Punëve të Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.
Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore. Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kandidati dhe dokumentacionin shtesë të mbledhur nga Komisioni. Komisioni merr vendim për përjashtimin e kandidatëve që nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe i njofton me shkrim kandidatët e përjashtuar, në mënyrë të arsyetuar për shkaqet e përjashtimit.
Komisioni organizon seancë dëgjimore me kandidatët dhe i njofton ata të paktën 3 ditë para seancës dëgjimore. Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.
Shprehja e interesit dhe të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të dorëzohen në adresën postare, ose në adresën elektronike.
Adresa postare: Ministria e Punëve të Brendshme, Bulevardi Dëshmorët e Kombit Nd. 1, Tiranë 1001 Tiranë, Shqipëri
Adresa elektronike: [email protected]
Afati i dorëzimit të aplikimit: Deri në 11 mars 2026.







