Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka thënë se Hungaria nuk mund të mbështesë paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë, në mënyrën se si janë prezantuar duke përfshirë edhe embargon ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse.
Orban ka thënë se propozimi i Komisionit Europian do të përbënte një bombë bërthamore të lëshuar mbi ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria është e gatshme për negociata nëse sheh një propozim të ri, që do t’i përshtatej interesave të Budapestit.
Më 4 maj, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës dhe në propozim përfshihet eleminimi i furnizimeve me naftë të papërpunuar ruse brenda gjashtë muajsh, ndërkaq nga produktet e rafinuara deri në fund të 2022.
Realizimi i kësaj pakete që të zbatohet plotësisht kërkon miratimin unanim të 27 shteteve të BE-së.