Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer me tone të forta ndaj Radio Televizionit Shqiptar, duke e cilësuar si një dështim total dhe duke e quajtur “shërbimin më mizerabël publik në gjithë globin”.
Duke folur sot para ministrave dhe deputetëve socialistë, Rama u shpreh se përpjekjet për reformimin e RTSH-së kanë dështuar plotësisht, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite.
“Ne kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Bilanci është një dështim i suksesshëm: nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Sot në Shqipëri nuk kemi televizion publik,” tha Rama.
Kryeministri deklaroi se nuk e ndjek RTSH-në dhe se hera e fundit që e ka parë si shikues ka qenë në vitin 1990. Ai shtoi se edhe kur ka qenë i ftuar në emisione të këtij institucioni, mungesa e audiencës ka qenë evidente.
“Janë të vetmet intervista pas të cilave nuk kam marrë asnjë mesazh. Kam qenë në studio, i kam parë ata në sallë, por jashtë studios nuk më ka parë njeri,” u shpreh ai.
Rama theksoi se drejtuesit e RTSH-së nuk kanë marrë kurrë ndërhyrje apo udhëzime nga ana e tij dhe se problemi nuk lidhet me presion politik, por me mungesën e performancës.
Ai hodhi idenë e një kërkimfaljeje publike nga RTSH ndaj qytetarëve dhe familjeve shqiptare për shërbimin e dobët të ofruar ndër vite.
“U kam thënë drejtuesve: mbylleni ekranin dhe dilni të kërkoni ndjesë publike. Premtoni se do riktheheni vetëm kur të jeni gati për një reformë të vërtetë,” tha Rama.
Kryeministri ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi faktin se televizione private, me buxhete shumë më të vogla, arrijnë të kenë më shumë sukses se RTSH-ja, ndërsa theksoi se qeveria nuk do të japë më fonde publike pa meritë.
“Nuk do të japim asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri sa RTSH t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti, gjithçka përveç kësaj gjendjeje aktuale,” deklaroi Rama.
Në fund, ai u distancua nga çdo përpjekje për të ndërhyrë në media, duke theksuar se nuk ka ndërmend të përfshihet në rregullimin e mediave publike apo private.
Pjesa e fjalës ku ndalet te RTSH
“Ne kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH-së është një dështim i suksesshëm: nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Sot ne nuk kemi televizion publik në Shqipëri; kemi një kanal atje, por hera e fundit që e kam parë ka qenë në vitin 1990, para përmbysjes së protestave.
Që atëherë, televizion publik nuk kam parë. Kam shkuar i ftuar, por as veten nuk e kam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh. Është sikur të kesh shkuar në një përshpirtje që duhet të ishte publike: i kam parë ata në sallë, por jashtë studios nuk më ka parë njeri.
Drejtuesit e RTSH-së e dinë të gjithë se nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, sepse unë nuk e shoh. Dhe kur ndonjëri prej jush më thotë ‘shiko çfarë bën RTSH’, përgjigjja ime është kjo. Të gjithë drejtorët i kam takuar pasi janë zgjedhur dhe u kam thënë: mbylleni, dilni në ekran dhe thoni se televizioni publik i kërkon ndjesë popullit, të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, u kërkon ndjesë edhe atyre që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar, siç jeni edhe ju sot, të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Premtoni se do reflektoni dhe se do riktheheni në ekran vetëm kur të jeni gati për të bërë reformë.
Si ka mundësi që televizionet e tjera, me buxhete shumë më të vogla, kanë shumë më tepër sukses? Sepse buxheti i tyre nuk është i garantuar. Ata duan të drejtën për të transmetuar ndeshjet e kombëtares, por lekët nuk i paguajnë, sepse thonë: ‘ne jemi publik, doni lekët tona, shkoni te qeveria’. Nuk kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri kur ta meritojnë.
Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti – gjithçka, përveç kësaj gjendjeje që është sot. Unë nuk marr pjesë në këtë, ashtu siç nuk marr pjesë në asnjë tentativë për të rregulluar median. E ndërmora këtë aventurë vetëm për disa gjëra dhe Shqipërisë i mbeti ai paragraf, ai draft i ligjit për median. Sot diskutohet shumë më tepër se aq, por unë nuk merrem as me mediat online, as me televizionin publik. Ju që vuani nga shpifjet e tyre, merruni vetë”.
gijotina.com/










