Rritja prej 1 jave e çmimit të naftës në vend, për shkak të nisjes së luftës në Lindjen e Mesme po ndikon edhe në koston e operatorëve privat të transportit qytetas.
Shoqata kërkon marrjen e masave për vlerësimin e situatës dhe shqyrtimin e mundësisë për dhënie kompensimi për shtrenjtimin e çmimit të naftës në të kundërt operatorët do të detyrohen të reduktojnë numrin e autobusëve në lëvizje.
Nga analiza e faturave të furnizimit me karburant të operatorëve të transportit publik rezulton se çmimi i naftës ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë periudhës së fundit.
Konkretisht, nga faturat e furnizimit rezulton se para fillimit të krizës së fundit të çmimeve, çmimi i furnizimit me naftë për operatorët ka qenë rreth 145 lekë/litër. Në faturat më të fundit, çmimi i furnizimit rezulton me një rritje nga 45-50 lekë më shumë.
Duke pasur parasysh se operatorët e transportit publik kryejnë furnizime të tilla disa herë në muaj për të mbuluar aktivitetin e përditshëm urbanë/interurbane, kjo rritje përkthehet në një rritje shumë të konsiderueshme të kostove mujore dhe vjetore të operimit.
Në këtë situatë nga Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkohet që të merren masa nga institucionet për nisjen e subvencionimit apo kompensimit për çmimin e naftës për operatorët e transportit.
“Për sa më sipër, kërkojmë nga institucionet përkatëse:
1. Vlerësimin e situatës së krijuar dhe ndikimit që rritja e çmimit të karburantit ka në kostot e operimit të transportit publik.
2. Shqyrtimin e mundësisë së aplikimit të mekanizmave kompensues ose subvencionues për karburantin e përdorur nga operatorët e transportit publik.
3. Vlerësimin e mundësisë së subvencionimit të drejtpërdrejtë të karburantit për sektorin e transportit publik ose krijimin e një mekanizmi të posaçëm mbështetës për këtë shërbim publik”, theksohet në letër.
Në vitin 2022, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës nga nisja e luftës Ukrainë-Rusi, qeveria vendosi rimbursimin me 100 lekë për litër për naftën e shpenzuar për muajt gusht-shtator-tetor për kompanitë e transportit. Kjo masë nisi të zbatohet nga 1 Nëntori 2022.
Kjo ishte paketa e dytë antikrizë që u zbatua në ndihmë të sektorit. E njëjta paketë u përdor për rimbursimin e naftës për muajt mars-prill-maj 2022. Ndërsa për muajt qershor dhe korrik transporti urban në tërësi vuajti shtrenjtimin e kostove nga rritja e çmimit të naftës, pasi mungoi subvencionimi. Operatorët në muajin gusht paralajmëruan ndërprerjen e abonesë nëse nga qeveria nuk merrte masa.
gijotina.com/










