Raporti vjetor i vitit 2025 i Strukturës e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar evidenton se korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore për Shqipërinë. Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë të përfshira në rrjete ndërkombëtare, veçanërisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit.
Në raport thuhet se “gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, prej të cilave rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit) dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit). Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER, USDT, me vlere ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro (vendimi nr.583, date 04.09.2025).
Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.”
Gjatë vitit 2025, sipas raportit vjetor, janë “hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832). Po ashtu, raporti mes procedimeve penale të reja dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara u rrit me rreth 6.67% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.”
Dokumenti thekson se trafiku i narkotikëve, sidomos i kokainës dhe kanabisit drejt vendeve të Bashkimit Europian, mbetet aktiviteti më fitimprurës për grupet kriminale. Një pjesë e konflikteve të dhunshme dhe vrasjeve në vend lidhen pikërisht me përplasjet mes këtyre grupeve për kontrollin e tregut të drogës. Po ashtu, raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon të konsiderohet një burim i rëndësishëm i armëve ilegale që qarkullojnë në rajon dhe në Europë.
Një tjetër shqetësim i evidentuar nga SPAK është pastrimi i parave, i cili sipas raportit kryhet kryesisht përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, pasurive të paluajtshme dhe bizneseve të ndryshme. Kjo praktikë, sipas institucionit, deformon konkurrencën në ekonomi dhe ndikon negativisht në treg, raporton Report Tv.
Raporti ndalet gjithashtu te korrupsioni në administratën publike dhe në pushtetin vendor, duke theksuar se një pjesë e hetimeve kanë përfshirë zyrtarë të lartë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të qeverisjes vendore, kryesisht për çështje që lidhen me tenderat publikë, përdorimin e fondeve dhe dhënien e lejeve të ndërtimit.
SPAK vlerëson se sfidat mbeten të mëdha, sidomos në luftën kundër pastrimit të parave dhe korrupsionit në nivele të larta, duke nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve hetimore dhe bashkëpunimit institucional.
Sa i përket volumit të punës në mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të tregojë qëndrueshmëri me 216 çështje/hetime të përfunduara në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024.
Edhe pse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%, çka tregon se, hetimet janë fokusuar tek çështje më komplekse, që përfshijnë më shumë individë. Kjo e dhenë, një reflektim të qasje më strategjike dhe të fokusuar të SPAK në ndjekjen penale gjatë këtij viti raportues.
Gjatë vitit 2025, rreth 29% e çështjeve dhe hetimeve të përfunduara janë transferuar tek prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, një rënie e ndjeshme krahasuar me mesataren e periudhës 2021-2024.
SPAK ka identifikuar disa sfida kryesore në funksionimin e institucionit, që kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit. Prokuroria e Posaçme thekson rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi, mospërcaktimi i qartë ligjor e përfundimit të mandatit të prokurorëve, bashkëpunimi me institucionet e tjera apo dhe me ato ndërkombëtare.
“1. Sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë – Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta paraqet sfida të rëndësishme për SPAK. Gjithashtu, retorika politike dhe mediatike mund të ndikojë në perceptimin publik dhe në autoritetin e institucionit, si dhe mund të shërbejë edhe si faktor nxitës për rritjen e nivelit të kërcënimeve nga krimi i organizuar. SPAK do ti konsideronte veçanërisht shqetësuese ato nisma ose masa me karakter ligjor dhe institucional, që do të synonin kufizimin e mjeteve proceduriale dhe pavarësinë e saj. Ndërhyrje të tilla do të përbenin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe për vetë shtetin e së drejtës.
2. Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit – Mospërcaktimi i qartë ligjor kërcënon vijimësinë e hetimeve dhe standardet profesionale, duke ndikuar në besimin e publikut dhe në përmbushjen e kërkesave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
3. Këshilltarët ligjor pranë SPAK – Mungesa e këshilltarëve ligjorë me përvojë krijon vështirësi në cilësinë e hetimeve dhe ndjekjes së çështjeve në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë edhe në Gjykatën Kushtetuese.
4. Bashkëpunimi me institucionet publike – Edhe pse ka rritje të referimeve dhe shkëmbimit të informacionit, niveli i bashkëpunimit duhet të intensifikohet më tej, veçanërisht me Policinë e Shtetit, për të garantuar hetime më të koordinuara dhe efikase. 5. Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve (Case Management System) – Konsolidimi i mëtejshëm i moduleve ekzistuese dhe integrimi i funksionaliteteve të reja mbetet prioritet për të përmirësuar ndërveprimin me proceset hetimore dhe procedurale të të dhënave, duke siguruar monitorim më të mirë të progresit të çështjeve.
6. Njësia e analizës – Ngritja e një strukture të specializuar për mbështetjen e hetimeve komplekse, matjet e riskut dhe raportimet kombëtare dhe ndërkombëtare vazhdon të mbetet sfidë, duke kërkuar bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë ndërkombëtarë.
7. Specialisti Ndërlidhës – Statusi i specialistit ndërlidhës si nëpunës civil nuk përputhet plotësisht me funksionet, që duhet të kryejë sipas ligjit nr. 95/2016, duke e bërë të nevojshme përcaktimin e qartë të pozicionit dhe kompetencave për të garantuar efektivitetin e rolit.
8. Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja – Mungesa e kompetencës për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja, përfshirë procedurat e ekstradimit, mbetet problematike dhe ndikon vijimësinë e hetimeve dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
9. Kompetenca e Gjykatave të Posaçme – Mungesa e kompetencës për shqyrtimin e kërkesave në fazën e ekzekutimit të vendimeve penale për subjektet e posaçme detyron që këto çështje të trajtohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, duke rritur kohëzgjatjen dhe kompleksitetin procedural.
10. Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë Edhe pse ka përmirësime në bashkëpunimin me disa shtete, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, procesi i ekstradimit vazhdon të jetë sfidues dhe kërkon nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe për të garantuar ekzekutimin e vendimeve penale jashtë vendit”, thuhet në raport.
gijotina.com/








