Regjisori Kristaq Dhamo, është shtruar në spital. Siç bëhet me dije gjendja e tij është e rënduar dhe nuk mund të flasë as të lëvizë, ndërsa shpresohet në një përmirësim të mundshëm. Në një komunikim ‘via-email’ familja e tij shpjegon situatën shëndetësore e një prej ‘baballarëve’ të kinematografisë shqiptare.
Në e-mailin e familjes (10 korrik) shkruhet si më poshtë:
“Dje edhe pse nuk ndihej mirë Kristaqi po mendonte për të shkruar një letër të shkurtër falënderimi për të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e jashtëm në krijimin e një prodhimtareje te vërtetë kinematografie kombëtare. Ndërkohë kishte edhe një mendim se ku mund të shfaqej filmi Tana i restauruar. Sipas tij ai duhej te shfaqej ne Korçë, sepse ishte qyteti, fshati dhe teatri i tij që dhanë ndihmën më të madhe në realizimin faktik të filmit.
Por këtë e linte në dorën tuaj, duke çmuar shumë punën tuaj në Film Arkiv. Papritur, sot herët e shtruan në spital (10 korrik). Nuk është në gjendje të flasë, për të lëvizur jo se jo. Konsulta mjekësore që u zhvillua nga ora 15.00 thuhej me bindje se brenda javës e folura do t’i kthehet normalisht, ndërsa të ecurit më me ngadalë. Ju urojmë suksese ne organizimin e festave te filmit. Familja e Kristaqit” shkruhet në komunikimin via-email.
Kineasti vitet e fundit e ka ndarë jetën mes Shqipërisë dhe Amerikës, dhe ka shfaqur komplikacione shëndetësore.
Së fundmi është restauruar filmi i parë artistik shqiptar “Tana”, që mban autorësinë e tij.