Sllovenia ka një popullsi prej rreth 2.1 milionë banorësh, pra shumë afër Shqipërisë së vitit 2025 me 2.37 milionë. Por ndryshe nga Shqipëria, që ka 61 bashki dhe 12 qarqe, Sllovenia ka zgjedhur një model shumë më të thjeshtë me 212 komuna si njësi bazë dhe dy rajone të mëdha (NUTS 2) që përdoren për politika zhvillimi.
Ekspertët e vlerësojnë Slloveninë si një model të përshtatshëm për Shqipërinë për reformën territoriale. Të dyja vendet kanë sipërfaqe dhe popullsi të afërt, por zgjedhje të ndryshme në organizimin territorial.
Sllovenia ka një popullsi prej rreth 2.1 milionë banorësh, pra shumë afër Shqipërisë së vitit 2025 me 2.37 milionë. Por ndryshe nga Shqipëria, që ka 61 bashki dhe 12 qarqe, Sllovenia ka zgjedhur një model shumë më të thjeshtë me 212 komuna si njësi bazë dhe dy rajone të mëdha (NUTS 2) që përdoren për politika zhvillimi.
Këto rajone nuk janë ende njësi administrative të mirëfillta, por Sllovenia i ka përdorur si bazë për të koordinuar politikat me BE-në dhe për të thithur fonde strukturore. Debati i brendshëm vazhdon ende nëse këto rajone duhet të kthehen në qeveri rajonale, por ndërkohë funksionaliteti i tyre administrativ ka sjellë efikasitet në menaxhimin e projekteve europiane.
Në Shqipëri, situata është më e fragmentuar, 61 bashkitë shpesh nuk arrijnë të përballojnë kapacitetet teknike dhe financiare për menaxhimin e fondeve, ndërsa qarqet kanë një rol kryesisht koordinues dhe jo vendimmarrës.
Nëse Shqipëria do të ndiqte modelin e Sllovenisë, tre rajonet NUTS 2, Veriu, Qendra dhe Jugu mund të shndërroheshin në struktura rajonale administrative që do të përkonin me funksionet e qarqeve duke i reduktuar dhe duke konsoliduar ato
Sllovenia ka arritur të menaxhojë në mënyrë efektive fondet e BE-së me një popullsi të ngjashme, Shqipëria mund të përmirësojë ndjeshëm kapacitetin e saj duke ngritur një nivel rajonal funksional.
Kjo do t’i jepte jo vetëm më shumë peshë politike dhe përfaqësim në strukturat e BE-së, por edhe një strukturë më racionale që shmang mbivendosjen mes qarqeve dhe bashkive.
Shndërrimi i rajoneve NUTS 2 në njësi administrative për Shqipërinë mund të jetë një rrugë drejt përputhjes me standardet europiane, por edhe një mënyrë për të menaxhuar më mirë burimet dhe për të shmangur fragmentimin që e ka shoqëruar sistemin e saj territorial deri më sot.
Rajonet, rrisin aksesin në fondet e BE-së
Procesi i para-anëtarësimit në BE, por edhe pasi të bëhemi anëtarë, shoqërohet me rritje të financimeve, të cilat akordohen zakonisht për rajonet më të varfra të vendit si një politikë e BE-së për të sjellë rritje të barabartë. Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE dhe ka akses në rreth 900 milionë euro nga plani i rritjes rreth 9 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor (2021-2027).
Nëse Shqipëria do të bëhej anëtare e BE-së, fondet e politikës së kohezionit do të ishin shumë më të larta.
P.sh. Rumania me popullsi rreth 19 milionë banorë, një nga vendet më të varfra të BE-së, ka marrë gjatë 2021—2027 mbi 31 miliardë euro nga fondet e kohezionit, një vlerë e përafërt me 1650 euro për frymë, sipas të dhënave nga Komisioni Europian.
Gjithashtu Polonia me rreth 37 milionë banorë, 76 miliardë euro ndërmjet 2021-2027 ose 2,050 euro për frymë.
Duke parë përfitimet e anëtarëve më të rinj të BE-së – Shqipëria ka gjasa të marrë në një vit rreth 600 milionë euro nga BE pas anëtarësimit, të cilat jepen me kritere të qarta për t’u ndarë me përparësi në rajonet më të varfra.
BE shpesh favorizon rajonet më të varfra dhe me indikatorë më të dobët zhvillimi. Në këtë rast, Veriu i Shqipërisë, që përballet me nivel më të lartë emigracioni, papunësi dhe infrastrukturë më të dobët, mund të përfitonte më shumë fonde për frymë të popullsisë në raport me Jugun dhe Qendrën e vendit.
Ekspertët pohojnë se përfitimet potenciale janë të jashtëzakonshme, veçanërisht nëse rajonet shqiptare do të kishin kapacitetet institucionale për të hartuar dhe për të menaxhuar programe zhvillimi si homologët e tyre europianë.
Në këtë kuptim, kthimi i rajoneve NUTS 2 nga ndarje statistikore në njësi administrative do të hapte rrugën për një decentralizim real të fondeve europiane, për zhvillim të balancuar rajonal dhe për një menaxhim më efikas të burimeve publike.
Veriut i duhen të paktën 20 vite për të arritur nivelin që ka Qendra sot
Në mënyrë hipotetike, nëse ekonomia e Rajonit të Qendrës (Tiranë dhe Elbasan) qëndron në vendnumëro, Rajonit të Veriut do t’i duhen 20 vite për të arritur nivelin ekonomik të Qendrës, me rritje ekonomike 3% në vit.
Nëse Veriu rritet mesatarisht 5% në vit në vlerë absolute, do t’i duhen rreth 16–17 vjet që të arrijë vlerën absolute të Qendrës, nëse Qendra nuk rritet. Për Jugun, me të njëjtën normë 5%, do t’i duhen rreth 12.5 vjet. Por në realitet, këto zhvillime nuk mund të ndodhin.
Por nëse ekonomia e Veriut dhe ajo e Qendrës dhe e Jugut rriten me ritmet aktuale, hendeku mes rajoneve do të thellohet më tej.
Llojet e financimeve që mund të përfitojnë Rajonet
Pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, vendet e reja anëtare përfshihen në një nga politikat më të rëndësishme dhe më të financuara të unionit, politikën e kohezionit, e cila ka si qëllim të zbusë pabarazitë rajonale dhe të sigurojë zhvillim të balancuar në të gjithë territorin e BE-së.
Qëllimi themelor i kësaj politike është të ndihmojë rajonet më të varfra të kapin mesataren e zhvillimit të unionit dhe të parandalojë që rritja ekonomike të përqendrohet vetëm në zonat metropolitane, kryeqytete apo qendra industriale. Bashkimi Europian synon që qytetarët, pavarësisht se në cilin rajon jetojnë, të kenë mundësi të barabarta për punësim, arsim, infrastrukturë dhe shërbime publike.
Pas hyrjes në BE, çdo shtet harton një Marrëveshje Partneriteti me Komisionin Europian, ku përcaktohen prioritetet kombëtare dhe rajonale për një periudhë buxhetore shtatëvjeçare.
Brenda kësaj kornize, fondet ndahen sipas ndarjes rajonale NUTS 2, e cila e klasifikon çdo rajon sipas nivelit të zhvillimit ekonomik. Rajonet që kanë më pak se 75% të mesatares së PBB-së për frymë të Bashkimit Europian përfitojnë mbështetje më të madhe financiare, ndërsa rajonet më të zhvilluara përfitojnë më pak.
Instrumentet kryesore përmes të cilave BE-ja realizon këto politika janë fondet strukturore dhe investuese. Fondi Europian për Zhvillim Rajonal (ERDF) mbështet zhvillimin ekonomik, infrastrukturën, energjinë e pastër, digjitalizimin dhe projektet që tërheqin investime private në rajonet më pak të zhvilluara.
Fondi Social Europian Plus (ESF+) synon rritjen e punësimit, përfshirjen sociale dhe arsimin profesional duke financuar programe trajnimi për të rinjtë, gratë dhe grupet në nevojë.
Një tjetër instrument, Fondi i Kohezionit, u dedikohet shteteve anëtare me PBB për frymë nën 90% të mesatares së BE-së dhe financon projekte të mëdha infrastrukturore, mjedisore dhe të transportit, si ndërtimi i autostradave, i hekurudhave apo i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve.
BE ka zhvilluar instrumente të reja për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Programi “REACT-EU”, për shembull, u krijua pas pandemisë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike të rajoneve, ndërsa “Just Transition Fund” mbështet zonat që varen nga industritë ndotëse, si minierat apo termocentralet me qymyr, për t’u përshtatur me tranzicionin e gjelbër. Një tjetër nismë, “InvestEU”, nxit investime në inovacion, energji të rinovueshme, digjitalizim dhe infrastrukturë sociale.
Përveç fondeve strukturore, Bashkimi Europian përdor edhe politika të tjera që ndikojnë në ekuilibrin rajonal. Politika e përbashkët bujqësore (CAP) ofron subvencione për fermerët dhe komunitetet rurale për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të frenuar braktisjen e zonave fshatare.
Në të njëjtën kohë, programet “Interreg” nxisin bashkëpunimin ndërkufitar, rajonal dhe transnacional duke financuar projekte që lidhin ekonomitë lokale në zona kufitare.
Një tjetër qasje që BE-ja ka futur në dekadën e fundit është koncepti i “smart specialization”, ku çdo rajon identifikon fushat ku ka avantazh konkurrues, si teknologjia, turizmi apo agroindustria dhe i përqendron aty investimet publike dhe private.
Efektet e këtyre politikave shfaqen gradualisht, zakonisht pas disa vitesh nga anëtarësimi. Përvoja e vendeve si Polonia, Lituania dhe Sllovakia tregon se përmes përdorimit efikas të fondeve të kohezionit, rajonet më të varfra kanë arritur të ngushtojnë diferencat e PBB-së për frymë me 10 deri në 20 pikë përqindje në raport me mesataren e BE-së.
Polonia, për shembull, është përfituesja më e madhe neto e fondeve të kohezionit, me rreth 80 miliardë euro vetëm në periudhën 2021–2027, që janë përdorur për autostrada, parqe industriale dhe qendra inovacioni në rajonet lindore.
Ndërkohë, vende si Rumania dhe Bullgaria kanë përparuar më ngadalë për shkak të pengesave në zbatimin e projekteve dhe problemeve me administratën publike.
Rajonet mund të dublojnë qarqet
Duke bërë funksionale qeverisjen në Rajone, qarqet si struktura administrative mund të shkrihen. Ekspertët mendojnë se qarqet, në formën që ekzistojnë sot, duhet të shkrihen ose të transformohen plotësisht.
Arsyeja është se ato nuk përfaqësojnë më një nivel funksional të qeverisjes, por janë bërë një shtresë burokratike midis qeverisë qendrore dhe bashkive, pa kompetenca të qarta dhe me kosto mjaft të larta për financat publike.
Qarku në Shqipëri është krijuar si një njësi për koordinim të institucioneve shtetërore dhe për shërbime të përbashkëta, por nuk ka as buxhet të vetin të pavarur dhe as organ përfaqësues të zgjedhur.
Në praktikë, roli i tij është zvogëluar ndjeshëm pas reformës së vitit 2015, kur bashkitë u fuqizuan dhe morën pjesën më të madhe të kompetencave lokale. Si rezultat, qarku sot është më shumë një strukturë administrative pa ndikim real në zhvillim.
Pikërisht për këtë arsye, një pjesë e mirë e ekspertëve të reformës territoriale propozojnë që qarqet të zëvendësohen nga tre rajonet e mëdha, Veriu, Qendra dhe Jugu, të cilat aktualisht ekzistojnë vetëm si njësi statistikore (NUTS 2) për Bashkimin Europian.
Kalimi nga qarqe në rajone do të reduktonte burokracinë, do të krijonte një nivel të qartë të qeverisjes rajonale me kompetenca zhvillimore dhe planifikuese dhe do të përshtatej me sistemin që BE-ja përdor për fondet e kohezionit.
Një sistem me tre rajone të mëdha do ta bënte më të lehtë planifikimin ekonomik, menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe të fondeve europiane, si dhe do të mundësonte krijimin e politikave të zhvillimit të përshtatura me specifikat e çdo zone: për shembull, turizmi dhe bujqësia në Jug, energjia dhe burimet natyrore në Veri, apo industria dhe shërbimet në Qendër.
Shkrirja e qarqeve kërkon ndryshime kushtetuese dhe ligjore, pasi ato janë të përcaktuara në Kushtetutë si njësi të ndara administrative. Prandaj, reforma territoriale në këtë pikë nuk mund të bëhet thjesht me ligj të zakonshëm, por duhet një marrëveshje politike më e gjerë.
Nëse krijohen rajonet e reja, duhet të vendoset nëse ato do të kenë organe të zgjedhura dhe buxhet të vetin, apo do të mbeten vetëm njësi teknike për planifikim dhe koordinim.
Shkrirja e qarqeve shihet e domosdoshme për të kaluar drejt një sistemi më funksional rajonal, që ta lidhë Shqipërinë me modelin europian të zhvillimit territorial dhe ta bëjë administratën vendore më efektive.
Por kjo nuk mund të bëhet pa një reformë të gjerë ligjore dhe pa një vizion të qartë se çfarë roli do të kenë rajonet e reja në qeverisjen e vendit./ Monitor










