Kreu i PD-së, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama ma ngelur në klasë sa i takon integrimit në BE.
‘Raporti IBAR për integrimin mbeti në klasë, Rama është pengmarrësi më i madh i Shqipërisë’, u shpreh Berisha gjatë konferencës për shtyp në selinë blu.
Deklarata
Sot, Edi Rama është pengmarrësi më i madh pas Enver Hoxhës në histori, pengmarrësi më i madh i Shqipërisë. Zhvillime dramatike vijnë për procesin e integrimit të Shqipërisë.
Raporti IBAR mbeti në klasë pasi një seri vendesh anëtare të BE nuk e votuan, por shtruan një seri çështjesh themelore dhe unë jam këtu të falënderoj, të shpreh mirënjohje ndaj këtyre vendeve, të cilat insistojnë që procesi i integrimit të jetë një proces i bazuar në meritë. Sepse ky proces i bazuar në meritë është interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Procesi jashtë meritës është ndëshkim për qytetarët shqiptarë dhe mbështetje për kusarët qeveritarë shqiptarë.
Ndaj dhe dua të falënderoj një seri vendesh të BE, të cilat dora-dorës po e kuptojnë se Edi Rama dhe narkoregjimi i tij nuk plotësojnë asnjë kusht, asnjë kriter, asnjë standard për integrimin e Shqipërisë në BE. Sepse Shqipëria e Edi Ramës është një piramidë madhore mashtrimi.
Sepse Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në çifligun e vet për ta vjedhur dhe për t’u pasuruar në mënyrë të çmendur. Ndaj dhe jam këtu për të deklaruar se për PD, objektivi më madhor i saj është integrimi i bazuar në meritë.
Pra, edhe njëherë qytetarëve shqiptarë, njeriu që për muaj të tërë nxirrte nga xhepi një pasaportë false kallpe dhe u thoshte kjo është pasaporta evropiane që u garantoj unë, e ndërroi dhe nxjerr pasaportën e Beogradit, pasaportën e Vuçiçit. Ky është zhvillimi dramatik sepse ai mbron vjedhjet e tij.








