Prej orës 11:00 është duke u zhvilluar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku marrin pjesë deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe disa drejtues institucionesh, mes tyre edhe drejtuesja e Kadastrës, Lorena Goxhobelli.
Takimi po mbahet me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave. Megjithatë, nga pamjet e publikuara nga vetë PS, nga brenda sallës vihet re se Elisa Spiropali dhe Erion Braçe, të njohur për qëndrimet e tyre kritike brenda grupit socialist, janë pozicionuar në pjesën e pasme të sallës, larg kryeministrit Edi Rama.
Ish ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali u përfshi në një diskutim publik me kreun e Grupit Parlamentar, Taulant Balla, pas mungesës së saj në seancën parlamentare të 12 marsit, ku u votua për imunitetin e Belinda Ballukut.
Edhe Braçe ka qenë kritik për një sërë problematikash, së fundmi për rritjen e çmimeve të naftës në kurriz të qytetarëve.
Mësohet se socialistët do të nisin nga java që vjen një tur komunikimi, që do të vijojë deri më 12 qershor, ditën e 35 vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Turi do të ketë në fokus procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ky tur konsiderohet si një “parafushatë elektorale”, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale të pranverës së vitit që vjen.








