Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme për mediat, e cilësoi Metën si një “burgosur politik” dhe vlerësoi betejën e tij kundër asaj që e quajti “narko-shteti”.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për akte intimidimi ndaj Metës, duke pretenduar se në qelinë e tij dërgohen persona të rrezikshëm për ta penguar edhe në nevojat më elementare.
Ai tha se kriminelë të dërguar nga Rama kanë shpuar shishet e ujit të Metës për ta lënë pa ujë, duke e cilësuar këtë si një praktikë që “as Sigurimi i Shtetit nuk e bënte”.
“Dërgoj një përshendetje të përzemërt burgosurve politikë në komisariate dhe uroj nga zemra ditëlindjen ish presidentit Meta që po bën një betejë të jashtëzakonshme edhe nga qelia e burgut ndaj narko shtetit.
Dënoj aktet e intimidimit, duke dërguar kriminel duke shpuar shishet e ujit dhe akte të tilla që tregojnë fytyrën e Edi Ramës.
Dhe kur një nga eksponentët e njohur socialistë merret me këtë problem rezulton se operacionin e kryen Gys Agasi.
Shikoni ku shkon Edi Rama. Çon kriminel për të shpuar shishet e ujit për ta lënë pa ujë. As Sigurimi i Shtetit nuk i bënte këto.”









