Ndërsa qytetarët në rajon përballen me të njëjtin realitet të shtrenjtimit të karburanteve, mënyra si reagojnë qeveritë nxjerr në pah një diferencë të fortë, mes Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Në Mal të Zi pati lëkundje, pati edhe kthim mbrapa brenda 24 orëve. Por në fund pati një vendim. Qeveria ndërhyri drejtpërdrejt te akciza, duke e ulur ndjeshëm dhe duke frenuar menjëherë rritjen e çmimeve. Rezultati? Nafta u stabilizua rreth 1.5 euro për litër. Pra, edhe me zigzage politike, Podgorica zgjodhi të mbrojë qytetarin në momentin kritik.
Në Shqipëri, ndërkohë, historia është krejt tjetër. Këtu nuk ka zigzage, ka vonesë. Ka deklarata. Ka premtime. Por nuk ka efekt. Ndërsa flitet për ulje akcize dhe rikthim bordesh, çmimi i naftës ka kapur nivele alarmante, duke u ngjitur në 214–219 lekë për litër. Pra, mbi 2.2 euro, dukshëm më shtrenjtë se në Mal të Zi.
Kjo nuk është më çështje perceptimi, por realitet i prekshëm: në një vend me paga më të ulëta dhe ekonomi më të brishtë, karburanti po shitet më shtrenjtë se te fqinjët. Dhe ndërkohë që në Podgoricë vendimi u ndje menjëherë në xhepin e qytetarëve, në Tiranë “ulja” ekziston vetëm në fjalë.
Madje edhe komunikimi zyrtar e tradhton situatën: masat “do të zbardhen”, bordi “do të ngrihet”, efekti “pritet”. Ndërkohë, qytetari nuk pret, ai paguan.
Dhe këtu qëndron dallimi brutal: një qeveri që tërhiqet për të vepruar dhe për të ulur barrën reale, dhe një tjetër që flet për ulje, ndërsa lejon që tregu të vazhdojë pa asnjë frenë. Në fund, diferenca mes 1.5 eurove dhe afro 2.3 eurove nuk është thjesht një shifër. Është prova se kush ndërhyn realisht dhe kush abuzon me popullin e tij.







