Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, duke i hapur rrugë procedimit të vendimit për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Lidhur me këtë akt, ka ardhur edhe reagimi i Bordit të Paqes, ku përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social ‘X’ është shkruar se e mbështesin angazhimin e qeverisë së Kosovës për të çuar përpara paqen dhe rindërtimin në Gaza.
“Bordi i Paqes mirëpret angazhimin e fortë të Qeverisë së Kosovës për të çuar përpara paqen dhe rindërtimin në Gaza”, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga Bordi i Paqes në rrjetin social ‘X’.
Sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon ligjvënësve për shqyrtim dhe votim, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se “jemi të gatshëm të marrim pjesë dhe të ndihmojmë popullin e Gazës, sepse edhe vetë kemi qenë dhe jemi përfitues të forcave ndërkombëtare që nga viti 1999”.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se përmes këtij angazhimi Kosova synon të dëshmojë se është një partnere e besueshme dhe e gatshme të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes dhe sigurisë.
“Ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të shtetit tonë, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe e vendos republikën tonë në radhën e shteteve që jo vetëm përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë vazhdimisht në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar”, tha Maqedonci.
Edhe Shqipëria është e angazhuar për të dërguar trupa paqeruajtëse në Gaza. Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e Forcës së Stabilizimit në Gaza që do të ketë formën dhe funksionin e një ushtrie e që do të bashkëpunojë me mijëra policë palestinezë. Plani i bordit të paqes synon të krijojë një forcë prej 20 mijë ushtarësh nga vende të ndryshme.
Ende pa një numër specifik të konfirmuar, dihet vetëm që Forcës së Stabilizimit (ISF) do ti bashkohen trupa nga Shqipëria. ‘Shqipëria konfirmoi se do të dërgojë trupa në Gaza si pjesë e Forcës së Stabilizimit që Bordi ka krijuar’, tha Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Bordit disa kohë më parë.
gijotina.com/








