Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dhënien e pagës së 13-të për të gjithë punonjësit që marrin pagë nga buxheti i shtetit.
Kryeministri Albin Kurti e paraqiti vendimin si pjesë të zotimeve të ekzekutivit ndaj administratës publike. Ai tha se masa synon të mbështesë familjet e punonjësve, të lehtësojë ngarkesën financiare dhe të ndikojë në rritjen e motivimit në shërbimin publik. Sipas tij, vendimi është marrë duke ruajtur qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e buxhetit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se paga e 13-të e plotë do t’u takojë atyre që kanë përmbushur 12 muaj të plotë pune në sektorin publik. Përllogaritja do të bëhet mbi bazën e vlerës së koeficientit dhe njësisë së koeficientit që ka pozita përkatëse për personin që figuron në listën e pagave për muajin mars.
Për punonjësit që nuk kanë përmbushur 12 muaj të plotë, pagesa do të jepet në mënyrë proporcionale, sipas muajve të angazhimit gjatë 12 muajve të fundit. E njëjta mënyrë llogaritjeje do të vlejë edhe për ata që punojnë me orar të reduktuar.
Vendimi përfshin edhe lehonat që janë ose kanë qenë në pushim të lehonisë gjatë kësaj periudhe. Sipas sqarimeve të ministrit, ato do të trajtohen si punonjëse me orar të plotë, në mënyrë që të përfitojnë pagën e 13-të të plotë dhe jo një pagesë të pjesshme.
Nga kjo skemë përjashtohen personat që figurojnë të suspenduar në muajin aktual ose që kanë qenë të suspenduar më herët. Po ashtu, në rastet kur një person mban më shumë se një funksion apo pozitë shtesë, paga e 13-të do të jepet vetëm një herë. Në këto raste do të merret për bazë pagesa më e favorshme gjatë përllogaritjes.










