Një shtetas afrikan, emigrant që punon në Shkodër, dyshohet se është plagosur gjatë orarit të punës në një fabrikë.
Në fakt, kjo deklaratë e tij nuk rezultoi e vërtetë, pasi ai është futbollist, por nuk është dëmtuar në hotel, siç pretendoi në deklarimin e parë, të cilin më pas e ndryshoi duke treguar të vërtetën për policinë.
Në foton amatore, të siguruar nga një qytetar, shihet momenti kur ky person po dilte nga fabrika i dëmtuar, vetëm pak sekonda pas ngjarjes.
Shtetasi afrikan mësohet se ka pësuar prerje të konsiderueshme në trup dhe është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku iu nënshtrua një operacioni.
Sipas burimeve spitalore, shtetasi afrikan ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në dorë dhe këmbë.
Ndërkohë burime nga policia e Shkodrës, bëjnë me dije se ai ishte i punësuar në një fabrikë që operon në të zezë në zonën industriale të Shkodrës, ku punonte prej disa kohësh, ngjitur me shkollën e mesme profesionale “Arben Broci”.
Kjo fabrikë, sipas burimeve policore, merret me prodhimin e kompostove dhe, në mungesë të punonjësve vendas, ka punësuar të huaj nga vendet e treta, si rasti i shtetasit që mbeti i plagosur.
Gjatë një prej proceseve të punës, ai ka pësuar prerje të konsiderueshme në këmbë dhe në krah dhe menjëherë është transportuar drejt spitalit. Sipas burimeve, shtetasi afrikan është edhe futbollist, por ai punonte edhe në këtë fabrikë, siç shihet edhe në foto.
Policia vendore e Shkodrës fillimisht u mjaftua me deklaratën e parë të tij, i cili tha se ishte dëmtuar aksidentalisht në hotel, por pas një denoncimi, i dëmtuari është rimarrë në pyetje, së bashku me një të huaj tjetër, të cilët më pas kanë treguar historinë e vërtetë.
Policia e Shkodrës tashmë ka nisur një hetim lidhur me këtë ngjarje të plagosjes në punë të shtetasit afrikan, duke qenë se dyshohet se kjo fabrikë operonte në të zezë dhe në kushte jashtë të gjitha standardeve.
Policia vijon hetimin për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje.
gijotina.com/








