Nga Ohri, ku u takua me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, paralajmëroi aktivitete pozitive gjatë javës së ardhshme sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Bashkimi Europian është shumë i përkushtuar që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat për anëtarësim. Po bëhen të gjitha përpjekjet që të gjendet një zgjidhje e përbashkët e pranueshme për palët. Jam i bindur se së shpejti do të ketë një zhvillim shumë pozitiv, që do të jetë shumë i rëndësishëm për vendin tuaj dhe mbarë rajonin.”
Në Ohër, zhvillon punimet Forumi i Prespës për Dialog. Edhe pse i ka hapur dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018, Bashkimi Europian nuk i ka nisur ende ato, as me Maqedoninë e Veriut, as me Shqipërinë.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve mes dy vendeve, që lidhen me gjuhën dhe identitetin. Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.
Pendarovski i kujtoi se zvarritja e procesit integrues lëkund besueshmërinë tek Bashkimi Europian e tha se kushtëzimi i një vendi anëtar kundrejt një vendi kandidat për anëtarësim paraqet një shkelje flagrante të premtimit për të ardhme europiane për vendet e Ballkanit.