“Fifty Shades Darker”, seria e dytë e sagës erotike e bazuar në librat e E. L. James, është shfaqur këtë të premte. Dy protagonistët, Dakota Johnson dhe Jamie Dornan, që u dhanë jetë personazheve të studentes së pafajshme Anastacia Steel, e miliarderit me prirje sadiste Christian Grey, parakaluan në tapetin e kuq me rastin e premierës botërore të filmit në Los Angeles.
“Është diçka e çuditshme. Nuk i jam kthyer kurrë një projekti, apo personazhi në të kalurën. Kështu që, si për mua ashtu edhe për Jamien, kjo është një eksperiencë e re”, tha Dakota Johnson, aktore.
Në filmin e ri të “Fifty Shades”, Anastacia dhe Christian kthehen sërish bashkë dhe e nisin marrëdhënien nga e para, këtë herë pa rregulla e kontrata. E megjithatë, çifti detyrohet të përballet me “djajtë” e brendshëm të Christianit dhe njerëz të tjerë që kërcënojnë t’i ndajnë.
“Mendoj se kjo është ajo që josh më së shumti spektatorë. Dashuria e madhe e Christian dhe Anastacias, që kapërcen çdo pengesë”, tha Jamie Dornan, aktor.
Dornan premton se fansat do të mund të shijojnë më shumë aksion në filmin e ri, që do të fillojë të shfaqet në kinematë botërore nga 8 shkurti.