Deputeti demokrat, Edi Paloka, duke komentuar protestat më të fundit të opozitës tha se, elementi më domethënës i vërejtur është zhdukja e frikës te protestuesit.
Sipas tij forca disproporcionale e policise përballë protestuesve, është një sjellje që interpretohet jo si shenjë force, por si tregues i frikës dhe dobësisë së qeverisë.
“Pavarësisht dhunës, arrestimeve dhe represionit të shtuar, reagimi ka qenë ai i një rezistence në rritje. Veçanërisht bie në sy prania e një grupi të rinjsh, të cilët shfaqin një grintë dhe një gatishmëri për t’u përballur që nuk ishte parë prej kohësh. Ata nuk shfaqin hezitim përballë dhunës apo arrestimeve, të cilat përshkruhen si “skandaloze”, përfshirë edhe rastet kur individë janë ndaluar arbitrarisht në rrugë, pa qenë pjesë e protestës.
Kjo qasje e autoriteteve interpretohet si pjesë e një “strategjie terrori”, e cila përfshin përdorimin e policëve civilë pa shenja identifikimi dhe futjen e provokatorëve në turmë me qëllim krijimin e akteve të dhunshme që justifikojnë ndërhyrjen. Këto veprime, në vend që të tregojnë kontroll, shihen si një përpjekje për të mbjellë frikë.
Sjellja e policisë nuk shihet si demonstrim force, por si pasqyrim i frikës së qeverisë. Nga ana tjetër, te protestuesit vërehet një rritje e rezistencës dhe e guximit.
Ne duhet të jemi dhe pak realist. Protestat nuk kanë qenë thjesht shëtitje në bulevard. Kanë pasur akte, sidomos reagimi nga ana e policisë ka qenë, siç është thënë në të gjithë mediat ndërkombëtare tashmë, disproporcional. Dhe sigurisht një protestë ku ka akte të tilla, ku ka përplasje, këto asnjëherë mos mendoni se do ketë përmasat e një manifestimi krejtësisht të qetë. Domethënë kjo dihet dhe e kemi thënë disa herë. Numrat ndryshojnë. Megjithatë, ajo që unë kam vënë re, dhe e kam thënë dhe më parë, ka dy elementë. Së pari, nuk ka frikë brenda protestuesve, përkundrazi. Pavarësisht dhunës, pavarësisht arrestimeve, pavarësisht të gjithë represionit që është shtuar nga ana e policisë, në krahun tjetër, në krahun e protestuesve, frika pothuajse po shuhet mes protestuesve. Përkundrazi, kam parë një grintë, një përpjekje për të luftuar edhe në raste kur duket sikur nuk ka për çfarë të luftosh. Ka një pjesë të rinjsh që nuk i kishim parë prej kohësh në protestat tona, që janë gati të përballen dhe thashë, nuk tremben as nga dhuna, as nga arrestimet që ndodhin në mënyrën, më skandaloze. E kemi parë që janë marrë edhe njerëz nga rruga, dhe kjo është thjesht në strategjinë e terrorit.
Është vërtetuar dhe kjo futja e provokatorëve, e policëve civilë, pa shenja identifikimi, pa dokumenta që hyjnë. Dikush provokon brenda turmës, dikush krijon dhe akte që pastaj sigurisht provokojnë njerëzit dhe reagimin e tyre. Pra të gjitha këto tregojnë frikë dhe këtë jua them si ekspert i protestave me vite. Të gjitha këto reagime që duket sikur janë forcë nga krahu i pushtetit, në fakt tregojnë të kundërtën. Tregojnë frikë dhe dobësi. Sa më represiv bëhen, aq më tepër tregojnë se janë më të dobët. Dhe reagimi, thashë, në krahun tjetër, në krahun e protestuesve, ka qenë, pra rritje e rezistencës, rritje e grintës, e forcës, e dëshirës për t’u përplasur. Po të ishte kryengritje e armatosur, Rama i lagur tashmë nuk e di se në cilën pjesë të botës do ishte. Po krejt i lagur, nga koka te këmbët. Nuk ka kryengritje të armatosur. E thashë, po të kishte kryengritje të armatosur, nuk do ta shihnit më atë kryeministrin me Zara të Batonit. Problemi është që e kundërta ka ndodhur. Drejtuesit e Partisë Demokratike janë përpjekur në një farë mënyre të mos lejojnë eksese, tejkalim të reagimit të qytetarëve, edhe për të mbrojtur qytetarët…”, u shpreh ai.










