Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Divjakë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, një prej mjeteve ka përfunduar në kanal.
Sipas informacioneve të siguruara nga qytetarët, tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Të lënduarit udhëtonin në automjetin që përfundoi në kanal dhe janë transportuar me urgjencë me ambulancë drejt spitalit të Lushnjës. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të aksidentit dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira.
Një nga automjetet, sipas dëshmitarëve, kishte targa greke dhe personat në mjet kishin ardhur për pushime. Automjeti tjetër ndodhej në krahun e kundërt të rrugës në momentin e përplasjes.









