Një 27-vjeçar e përndoqi ish të dashurën e tij përmbi një vit, jo vetëm duke e kërcënuar, por njëherazi edhe duke i dërguar dhurata e lule me shpresën se duke u sjellë mirë, ajo do ndërronte mendim.
E reja, me iniciale V.Y. kallëzoi në policinë e Tiranës se jeta e saj u vështirësua nga mesazhet e herëpashershme në të cilat J.M., e pyeste vazhdimisht se si ishte dhe se si po i shkonte jeta.
E bindur se realisht pas interesimit ish i dashuri nuk po bënte gjë tjetër përveç se po e përndiqte, ajo shkoi në polici dhe rrëfeu historinë se si çdo ditë u përndoq për mbi një vit.
Ëndrra me ish të dashurën
Historia e çiftit zgjati një vit lidhje. Në krye të vitit, ata u ndanë thotë policia. Por aq sa zgjati lidhja intime dhe për një vit tjetër, 22-vjeçarja V.Y., thotë se ish partneri nuk i ndahej as në punë, as në shtëpi madje, as kur ajo gjendej në shoqërinë e të afërmve.
27-vjeçari nuk mori aspak parasysh faktin që lidhja kishte marrë fund dhe që secili duhet të shikonte jetën e tij.
“Në korrik 2021, J.M., më dërgoi një mesazh, ku më tregonte se më kishte parë në ëndërr dhe donte të dinte nëse isha apo jo mirë. Nuk i ktheva asnjë përgjigje, pasi ia kisha bërë të ditur se nuk doja të bëja më me të“, – rrëfen në policinë e kryeqytetit vajza e re.
Pak ditë pas heshtjes në telefon, e reja kthehet në shtëpi dhe gjendet përpara një surprize.
Buqeta me lule
“Më tha nëna ime që në banesë kishin dorëzuar një porosi për mua dhe ishte një buqetë me lule, një varëse e shtrenjtë, ku ishte gdhendur emri im dhe fotografia e ish të dashurit. Kjo fotografi ishte shkrepur kur të dy ishim bashkë dhe marrëdhënia nuk kishte marrë për poshtë”.
Por e reja nuk është gëzuar aspak kur ka hapur pakon. 22-vjeçarja kujton në polici se e pyeti të ëmën kush i kishte sjellë dhe se përse i kishte pranuar.
“Këtë dhuratë e ka lënë në shtëpinë tonë një vajzë e re”, – i është përgjigjur mamaja vajzës së saj, duke shtuar se ishte surprizë.
Por me orët që kanë, kaluar ish i dashuri i ka shkruar nga një numër tjetër, meqënëse tek numrin e mëparshëm e kishte bllokuar.
“Më pyeti, a erdhën dhuratat dhe duke m’u prezantuar me emër dhe mbiemër, më kujtonte se buqeta me trëndafila ishin fare pak nga dashuria që ai dëshironte të më shprehte. Më lutej për ribashkim dhe kërkonte që ta telefonoja”, – kujton më tej e reja, që përsëri ka qëndruar e heshtur dhe indiferente, pa kthyer asnjë përgjigje. Por 27-vjeçari, në ditët në vazhdim nuk ka hequr dorë.
Mesazhi i radhës
“Prite dhëndrin në shtator, – ka shkruar në mesazhin e radhës i dyshuari, – duke cituar një datë në këtë muaj në të cilën 22-vjeçarja ka ditëlindjen. – Heshta dhe nuk iu përgjigja asnjë mesazhi që më shkruante, sepse lidhja jonë kishte marrë fund dhe ai duhet të pajtohej me këtë gjë”, – vijon ajo në polici.
Përballë dhjetëra telefonatave të kryera me numra të shumtë në muajt në vazhdim, e reja shton për policinë se kjo këmbëngulje e J.M., iu kthye në shqetësim, stres, ankth dhe i shkaktoi frikë.
“Nuk mund të shkoj e qetë në punë, sepse në çdo moment të ditës unë rri me frikë, pasi mendoj se ai mund të telefonojë, mund të vijë tek puna, tek shtëpia, mund të më dalë përballë apo mund të jetë duke më ndjekur. Nuk tërhiqet prej meje dhe nga veprimet që kryen, edhe pse ia kam bërë të qartë shumë herë se nuk dua më ta vazhdoj lidhjen dhe çdo gjë që bën më shqetëson”.
Në një nga rastet, denoncuesja shpjegon ankthin që po e mbyste.
“Erdhi poshtë banesës kur do shkoja në punë dhe më ndaloi. Më tha se nuk do shpëtoja pa u sqaruar dhe pa pirë kafe me të. Në një rast tjetër erdhi tek puna, hyri brenda dhe më kërkoi që të pinim kafe. Prezenca e tij faktohet nga kamerat e zyrës”.
Prania e të riut jashtë ambienteve të punës së 22-vjeçares, është konstatuar edhe nga kolegët e saj.
“E kishin parë dukë bërë xhiro, ndalon makinën dhe shikon nga zyra. Në asnjë rast J.M., nuk ka ushtruar dhunë, as fizike dhe as psikologjike, por dua të deklaroj se veprimet e tij janë një formë dhune psikologjike. Një ditë më ofroi para, – tregon kallëzuesja. – Kërkesa ishte që të kthehesha për paratë e tij dhe nuk pranova. U ndjeva e ofenduar”.
Presioni vijon deri në zyrën e punës
Kur nuk i ka ecur as kjo ofertë, i riu ka nisur nga kërcënimet.
“Atëherë nisi nga kërkesat e tjera. Kërkoi t’i ktheja pas të gjitha dhuratat që më kishte bërë, kërkoi lekët e pushimeve që kishte shpenzuar në rastet kur kemi udhëtuar dhe qëndruar së bashku. Më ka thënë se nëse do shkoja në punë, do më tërhiqte zvarrë nga flokët”, – citojnë pjesë nga dëshmia e saj.
Duke mos hequr dorë dhe përballë heshtjes së ish të dashurës, 27-vjeçari, sipas burimeve policore, ka ndryshuar taktikë.
“Atëherë nisi t’iu bëjë presion prindërve. Telefonoi mamanë dhe shqetësimet e tij, ia bërë prezente asaj. I kërkoi llogari në telefon nënës time, duke kërkuar përgjigje, se përse e lashë dhe përse e ndava”.
Duke vënë në dispozicion numrat e telefonit përmes të cilëve janë administruar deklarata dashurie, lutje dhe plane për të ardhmen, policia thotë se ka këqyrur edhe llogaritë e Instagramit, ku nga profile të ndryshme, duke nisur nga “çun fshati”, deri tek “italia” e “shejtan”, gjithsej 15 të tilla, i riu i shkruante pambarimisht ish të dashurës.
Policia thotë se përballë kësaj gjendjeje, e reja ndryshoi stilin e të jetuarit nga frika se ish i dashuri mund të avanconte me veprime të dhunshme.
E ëma
Mes dëshmitarëve që ka pyetur policia për dashurinë e të riut që mori trajtat e një përndjekësi, është edhe nëna e 22-vjeçares.
“Ai më kërkonte që të ndërhyja dhe të bindja V.Y., se duhet të uleshin për kafe dhe te sqaroheshin. Por ime bijë ia kishte bërë të qartë që ishte mbyllur ajo histori dhe se nuk donte të takohej më. Ai, edhe pse nuk kuptonte këtë gjë, i dërgoi dhurata dhe vazhdimisht i ka shkuar tek puna”, – thotë gruaja.
Nga ana tjetër, policia thotë jo zyrtarisht se nga marrja në pyetje e J.M., kuptoi se të gjitha veprimet e tij nuk janë kryer për ta frikësuar.
Sidoqoftë kjo është një vepër penale dhe quhet përndjekje tha policia që ngriti akuzë ndaj 27-vjeçarit.
“Kam pasur një vit marrëdhënie dhe lidhja ka qenë e shëndetshme. Kohët e fundit kemi pasur debate në çift për shkak të disa situatave jo normale dhe më pas u ndamë. Kam ngulur këmbë për ribashkim, pasi ajo është kokëfortë dhe nuk pranoi pa më dhënë një arsye. Nuk më dha arsye të ndarjes dhe kujtova se ishin teka dhe kjo më bëri të vazhdoj e të mos heq dorë prej saj, pasi shpresova se do vinte një pikë që do sqaroheshim dhe se gjërat do rregulloheshin”, – shprehet i riu, që fajin ia lë gjendjes emocionale që ai e përkufizon: “Ishte dashuri dhe aspak qëllim për ta frikësuar”.
Për policinë, ekzistojnë të gjitha provat që janë bindëse dhe që faktojnë se ai në të vërtetë e përndoqi ish të dashurën për muaj me radhë, duke mos u lodhur dita ditës me shprehjen e dashurisë ndaj saj./ Marrë nga Gazeta SI