Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos, u përcoll këtë të enjte për në banesën e fundit. Ashtu siç e kishte kërkuar ai vetë, Kryepeshkopi do të prehet në Katedralen “Ringjallja e Krishtit”, në kriptën e nëndheshme, aty ku sipas traditës së lashtë ortodokse, varrosen prijësit e kishës që kanë ndërtuar e drejtuar tempujt e shenjtë.
Ceremonia mortore nisi në orën 11:00 dhe zgjati më shumë se dy orë. Fillimisht u zhvillua mesha e përshpirtjes e drejtuar nga Patriark Bartolemeu, kreu botëror i Kishës Ortodokse. Në funeral morën pjesë figura të larta të klerit, politikës shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik, delegacione fetare të nivelit të lartë nga vende të ndryshme të botës, etj. Në meshën e lamtumirës ishte i pranishëm edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis i shoqëruar nga ministra të kabinetit të tij qeveritar si dhe Kryepeshkopi i Athinës.
Ndërkohë, besimtarë të shumtë mbushën oborrin e katedrales, ku ishte vendosur dhe një ekran i madh që mundësonte ndjekjen e ceremonisë si dhe fjalimeve të mbajtura me këtë rast.
Pas përfundimit të ceremonisë, arkëmorti u shoqërua në rrugën drejt kriptës nga një numër i kufizuar klerikësh ortodoksë të cilët do të vijojnë ritualet përkatëse, ndërkohë që përfaqësuesit e shtetit, politikës, përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare, si dhe turma e besimtarëve lanë Katedralen.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, vdiq më 25 janar, në një spital të Athinës. Kryepeshkopi Anastas ishte 95 vjeç dhe prej disa kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Sipas burimeve të Kishës Ortodokse, vdekja erdhi si pasojë e mosfunksionimit të disa organeve. Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse shpalli pesë ditë zie, nga data 25, deri më 29 janar 2025.
Rama: Kryepeshkopi Anastas ringriti Kishën Autoqefale të Shqipërisë, mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë me Greqinë
Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot Kryepeshkopin Anastas Janullatos një zdrukthëtar këmbëngulës në ringritjen e ngrehinës së shkrumbuar të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos, Kryeministri Rama mbajti një fjalë në nderim të figurës dhe kontributit të tij prej disa dekadash në Shqipëri.
Kryeministri u ndal te roli i Kryepeshkopit Anastas në ngjalljen e trupit mistik të ortodoksisë shqiptare si dhe në marrëdhëniet fqinjësisë mes Shqipërisë e Greqisë.
“Si një hierark i një bashkësie shoqërore historike me ndikim të madh në mozaikun kombëtar shqiptar, personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të kishës e të grigjës janë qëmtuar, janë admiruar, janë bekuar, janë qortuar e deri edhe janë anatemuar”, u shpreh Rama.
Rama tha se “pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhelisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut, i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri edhe zjarret e konflikteve fëminore të fqinjësisë sonë të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e kishës”.
“Por edhe kjo më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një kohë e në një botë ku gjithnjë e më të shumtë janë ata që lëkunden nga fryn era dhe ku gjithmonë e më pak mundësi i lihet shpirtit të shenjtë të fryjë nga të dojë, siç shkruhet tek ‘Gjeneza’”, tha Rama.
“Por përtej atyre zjarreve të ndezur si rrufe në qiell të pastër andej dhe këtej kufirit të rihapur pas gjysmë shekulli heshtje mortore dhe të shuara më pas si një hall në oborrin e përbashkët dhe përtej paragjykimeve dhe dyshimeve kronike të lagjes sonë ballkanike askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim dhe durim të madh”, vuri në dukje Rama.
“Nuk kam për qëllim të bëjë as nekrologjinë dhe as teologjinë e këtij prelati të cilin për hirin e pamohueshëm të së vërtetës gjithë çfarë mban rruzulli me njerëz të nderuar të fesë, me intelektualë të angazhuar për paqen dhe përmes dialogut ndërfetar, në artizanë të komunikimit mes kulteve dhe kulturave dhe deri te çdo kryetar shteti dhe qeverie që e njohu, ja patën shumë zili Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se prania në këtë ceremoni e Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis dhe delegacionit që e shoqëron jep mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë.
“Me siguri këtë opinion e bashkëndan tërësisht me mua edhe miku im kryeministri Mitsotakis, i cili na nderon sot me praninë e tij dhe delegacionit të nderuar që e shoqëron për të nderuar figurën epokale të Kryepeshkopit, Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe shtetin ku ajo sot merr frymë lirisht, duke dhënë njëkohësisht me këtë prani mesazhin kuptimplotë të pandashmërisë në jetë dhe në zi mes dy vendeve dhe dy popujve tanë”, theksoi Rama.
Mitsotakis: Për grekët dhe ortodoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Kryepeshkopi Anastas ishte burim krenarie
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis deklaroi sot se Kryepeshkopi Anastas Janullatos hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në fjalën e përmortshme në shërbesën e përcjelljes për në jetën e amëshuar të Kryepeshkopit, Anastas Janullatos, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, Mitsotakis tha se, “guxojmë të shpresojmë”.
“Në këto tre fjalë përmblidhet mendoj e gjithë jeta dhe aktiviteti i këtij hierarki të cilin ne e përshëndesim sot sepse pikërisht guximi dhe shpresa ishin ato dy busulla orientuese që për herë e drejtonin Anastasin në këtë rrugëtim të tij të admirueshëm”, tha kryeministri grek.
Një rrugëtim, theksoi ai, “i cili ka qenë qëndrueshëm në krah të njeriut dhe të drejtave të tij. Një herë si apostull modest dhe i përulur, një herë tjetër si një mbështetës pa zhurmë në krah të studentëve gjatë periudhës së diktaturës në Greqi. Dhe sigurisht si një themelues madhor dhe një pionier, një pararendës i jashtëzakonshëm i ortodoksisë në Shqipëri”.
Pikërisht, theksoi Mitsotakis, “në këtë madhështi të një personaliteti të jashtëzakonshëm ne përulemi sepse kryepeshkopi i Tiranës, i Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë ishte njëkohësisht një intelektual i besimit, por edhe një shërbëtor i thjeshtë i njeriut që kishte në krah”.
“Me fjalë të tjera ka qenë një shembull i ndriçuar i aktivitetit të tij, madje mungesa e tij do të jetë e pazëvendësueshme, jo vetëm këtu në vendin e tij dhe për homogjeninë tonë, por për të gjithë vendet e tjera ku rreh zemra e helenizmit për të cilin ekzistoi në 10-vjeçarë një fener i vërtetë”.
“Një fener dashurie dhe kontributi, fisnikërie dhe thjeshtësie, bindjeje por edhe rezultatshmërie, një fener i ortodoksisë përmes besimit”, tha Mitsotakis.
“Shumica e të pranishmëve e dinë se çfarë arriti Anastasi që nga çasti i parë kur mbërriti në Shqipëri në vitin 1991, në një vend të rrënuar nga regjimi autoritar me të krishterët e persekutuar dhe bashkëkombësit tanë të lënë në harresë”, u shpreh ai.
“Megjithatë duke marrë forcë nga besimi i tij i thellë ai hodhi themelet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, u shpreh Mitsotakis, duke shtuar se Janullatos, “krijoi mbi 400 enori, ndërtoi qindra kisha dhe dorëzoi 145 klerikë të rinj. Njëkohësisht hapi dhjetëra institucione arsimore, shëndetësore dhe bamirësie, një mrekulli e vërtetë mes rrënojave”.
“Gurët që na hedhin ata që luftojnë kundër veprës sonë thoshte shpesh me një buzëqeshje në fytyrë, ne i mbledhim dhe me to ndërtojmë kisha dhe shkolla. E thoshte dhe e nënkuptonte”, u shpreh Mitsotakis.
“Nuk është rastësi pra, theksoi Kryeministri i Greqisë, “që sot e vajtojnë si grekët, ashtu edhe shqiptarët, por dhe njerëzit kudo në botë, pavarësisht fesë apo kombësisë”.
“Kryepeshkopi ishte gjithmonë një urë miqësie midis dy popujve dhe një hallkë komunikimi mes dy shteteve”, shtoi ai.
“Prandaj me plot të drejtë, mund të quhet “Diplomati i Dashurisë”, një mision që ai e përmbushi me maturi dhe ndërgjegje, por edhe me një vendosmëri të palëkundur”, tha Mitsotakis.
“Jam një nga fatlumët që pata mundësinë ta njoh dhe të bashkëpunoj me vite me radhë me hierarkun tonë dhe nuk e fsheh që e konsideroj këtë përvojë, jo vetëm një angazhim profesional, por edhe një pasuri personale sepse ai ishte siç e kishte quajtur im atë, “I shenjtë dhe i urtë”, tha Mitsotakis.
“Një njeri që të magjepste me dijet e tij dhe një karakter që e shprehur me fjalë të ftonte me shembullin e tij të bëheshe më i mirë”, u shpreh Mitsotakis.
“Pikërisht këtu përputheshin edhe rrugët tona, në aftësinë për të kuptuar problemet e shumicës, veçanërisht të më të dobëtëve dhe në përkushtimin për të luftuar, pavarësisht vështirësive, që ato të gjenin zgjidhje”, tha kryeministri grek.
“Për grekët dhe ortodoksët në Shqipëri dhe kudo në botë, Anastasi ishte burim krenarie. Ai ishte një shërbëtor i palodhur dhe i përulur duke ofruar shpresë dhe gëzim shpirtëror për besimtarët ortodoksë kudo në botë”, theksoi Mitsotakis.
“Në urtësinë e tij teologjike dhe përulësinë e tij ai dëshmoi se Kisha Ortodokse mund të jetë një komunitet i gjallë dashurie dhe kujdesi shoqëror që bashkon popujt, prandaj sot të gjithë ndjejmë një trishtim të thellë, por edhe një ndjenjë përgjegjësie për trashëgiminë e rëndë që ai na la”, nënvizoi kryeministri Mitsotakis.
“Si bari shpirtëror ai ndërtoi kisha, si udhëheqës ai krijoi ura bashkëpunimi mes popujve dhe feve. Ai tregoi se mund të jesh njëkohësisht një grek i vërtetë dhe një figurë universale. U bëftë shembulli i tij një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë dhe vepra e tij gjettë pasues të denjë e përcjellë me të njëjtat fjalë që ai vetë na la si amanet. “Guxojmë të shpresojmë”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Mbesa e Kryepeshkopit Anastas, Roksani Janullatos: Shqipëria u bë Atdheu i tij i dytë
Roksani Janullatos, mbesa e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, e pranishme në ceremoninë mortore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, falënderoi popullin shqiptar për të gjithë dashurinë që ka treguar për xhaxhain e saj.
“Në emër të familjes më lejoni t’ju drejtohem vëllezërve shqiptarë për t’ju falënderuar për të gjithë dashurinë që keni treguar gjatë gjithë këtyre 30 viteve, për xhaxhain tonë”, u shpreh ajo, duke marrë fjalën jashtë programit në ceremoninë e përmortshme.
“Të gjithë parafolësit folën në mënyrë të përsosur për veprën e xhaxhit tonë. Ju e dini sesa shumë e deshi popullin me të cilin jetoi për më shumë se 30 vite, popullin e Shqipërisë të vendit që u bë atdheu i tij i dytë”, tha ajo.
“Ne ortodoksit, vijoi ajo, e dimë që Perëndia është dashuri dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndi dhe Perëndia qëndron në të”.
“Kjo ishte jeta e Anastasit, dashuri, drejtësi, vërtetësi, përulësi, përpjekje, guxim dhe shpresë. Le të përpiqemi vëllezërit e mi të ndjekim shembullin e tij, që pati dashuri për Perëndinë e dashurisë”, u shpreh Roksani Janullatos.
Kreu i Këshillit Botëror të Kishave, Peshkopi Heinrich Bedford-Strohm: Shkrimet teologjike të Kryepeshkopit Anastas, burim i fuqishëm frymëzimi
Kryetari i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave, Peshkopi Heinrich Bedford-Strohm në fjalën e tij u shpreh se “sot mblidhemi me dhimbje por në të njëjtën kohë me mirënjohje të thellë ndërkohë që çojmë shpirtin e Kryepeshkopit Anastas, në jetën e përtejme”.
“Për ne, Kryepeshkopi Anastas ishte një autoritet i jashtëzakonshëm shpirtëror, teolog mbresëlënës, me rrënjët e ngulura fort në traditë, e njëkohësisht me një horizont mrekullisht të gjerë. Ishte vëlla i dashur në Krisht që e donim të gjithë për përulësinë e dashurinë e tij”, u shpreh kreu i Komisionit Qendror të Këshillit Botëror të Kishave.
Ai shtoi se Kryepeshkopi i ndjerë shërbeu jo vetëm si teolog vizionar por edhe udhëheqës pragmatik, duke kontribuar në misionin e Këshillit Botëror, për t’i sjellë kishat së bashku.
Për peshkopin Heinrich Bedford-Strohm, shkrimet teologjike të Kryepeshkopit Anastas për çështje kritike, mbeten burim i fuqishëm frymëzimi që inkurajojnë të krishterët në mbarë botën për të mbyllur ndasitë, për mirëkuptim të ndërsjellë e për të qenë të bashkuar në një botë kaq të ndarë.
Në përfundim të fjalës së tij, peshkopi Heinrich Bedford-Strohm tha se “ai ishte personifikimi i motos së kuvendit të fundit të Këshillit Botëror të Kishave, në vitin 2022: “Dashuria e Krishtit e çon botën drejt pajtimit e bashkimit”. Le ta vazhdojmë misionin e tij duke thelluar vëllazërinë tonë si të krishterë e duke u dhënë solidaritet gjithë njerëzve vullnetmirë”.
Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani: Vepra e kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri, unike
Gjatë fjalës së tij Mbikëqyrësi i Fronit Kryepeshkopal, Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani vlerësoi kontributin e Kryepeshkopit Anastas në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.
“Vepra e kryepeshkopit Anastas në rindërtimin e Kishës Ortodokse në Shqipëri është madhështore dhe unike. Nën kujdesin dhe përpjekjet e tij u ndërtuan dhe restauruan e gjithë infrastruktura kishtare, u hapën shkolla, kopshte dhe institute profesionale si dhe u mbështet arsimi publik. Kulmi i kontributit të tij ishte themelimi i universiteti “Logos”, institucioni i parë i Arsimit të Lartë Ortodoks në Shqipëri”, tha Imzot Joani.
“Ai nuk u kufizua vetëm në ndërtimin e objekteve kishtare, por e shtriu kujdesinë e tij ndaj mbarë shoqërisë duke dhënë një dëshmi të gjallë se Kisha nuk ekziston vetëm për veten e saj, por për të gjithë, sepse dashuria nuk njeh kufij”, tha më tej Imzot Joani.
Mitropoliti i Korçës tha se “veprimtaria e tij ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme, janë mbështetur një sërë programesh sociale, përfshirë projekte për zhvillimin e zonave malore, përparimin e bujqësisë, ndërtimin e rrugëve, ndërtimin e ujësjellësve si dhe programe për kujdesin shëndetësor”.
“Janë ndihmuar jetimore, spitale, institute për persona me aftësi të kufizuara, qendra rezidenciale për të moshuar, qendra për të burgosur. E gjithë kjo veprimtari e gjerë ka kontribuar ndjeshëm në përpjekje për zhvillimin e Shqipërisë dhe ka pasur një ndikim të madh në shoqërinë dhe ekonominë e vendit”, tha Imzot Joani.
“Me mijëra njerëz janë punësuar, duke mbështetur në këtë mënyrë mijëra familje, ndërsa dashuria dhe solidariteti janë shndërruar në temë të qëndrueshme për një shoqëri më të drejtë dhe të përkushtuar. Kryepeshkopi Anastas është përkushtuar që kontributi më i madh i kishës në shoqëri të jetë edukimi dhe formimi i njerëzve të drejtë. Ka punuar pa u lodhur për të përhapur shpresë aty ku mbizotëron dëshpërimi”, tha Imzot Joani.
Më tej Imzot Joani u shpreh se kjo është ana e dukshme dhe e prekshme e kësaj vepre madhështore.
“Dua të theksoj dhe një herë një dimension tjetër të veprës së tij ndoshta më të rëndësishëm për të cilën nuk është folur sa duhet. Kryepeshkopi Anastas nuk u mjaftua vetëm me ndërtimin e mureve të kishës, përpjekja e tij për të dhënë një frymë të drejtë dhe të mirë brenda kishës ka qenë gjithmonë prioritet. Qëllimi tij ka qenë të ndërtohet një kishë ku Perëndia të adhurohet në frymë dhe në të vërtetën. Për kryepeshkopin Anastas veprat ndërtimore nuk ishin një qëllim në vetvete por një mjet për të realizuar misionin shpëtimtar të Kishës”, tha Imzot Joani.
Patriarku Bartolomeu: Kryepeshkopi Anastas, kryeprift i kalibrit të madh shpirtëror
Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e tij, Bartolomeu, gjatë fjalës së tij, vlerësoi figurën dhe punën e kryepeshkopit Anastas për ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.
“Një detyrë e dhimbshme na ka mbledhur sot në kryeqytetin e Shqipërisë, shtylla e madhe e kishës Ortodokse në Shqipëri ka rënë, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasi ka ndërruar jetë me Zotin. Edhe pse mosha e tij e madhe dhe përkeqësimi i shëndetit na kishin përgatitur për fundin e tij të afërt në këtë jetë tokësore, humbje e një Ati shpirtëror dhe Udhëheqësi të tillë kishtar shkakton një dhimbje të thellë njerëzor”, tha Bartolomeu.
Bartolomeu u shpreh më tej se kryepeshkopi Anastas ishte shërbëtori i mrekullisë, i ngjalljes nga të vdekurit të Kishës Ortodokse në Shqipëri pas natës së errët dhe të zymtë të ateizmit të organizuar dhe pas persekutimit të madh që regjimi ateist i bëri të krishterëve.
“Kur ai regjim ra dhe u krijua mundësia për rindërtimin e kishës këtu kisha e Shenjtë mëmë Patriarkana e Kostandinopojës nisi kërkimin për një burrë të pajisur me cilësi të veçanta, i cili do të mund të merrte përsipër shpëtimin e anijes së tronditur nga stuhitë. Ky burrë duhet të mishëronte virtytin, zgjuarsinë, vendosmërinë, shpirtin luftarak, punën e palodhur, zgjuarsinë diplomatike, njohjen ndërkombëtare, besimin e palëkundur në misionin e shenjtë, përkushtimin ndaj traditave të shenjta dhe dashurinë për popullin e vuajtur të Zotit”, tha Bartolomeu.
Sipas tij, “të gjitha këtë cilësi i gjetëm tek mitropoliti i atëhershëm titullar i Andrusës, një njeri i dalluar që kishte ndritur në misionin e tij në Afrikë dhe që kishte fituar një emër të respektuar në botën akademike, me përkushtimin dhe urtësinë e tij ai është bërë një figurë e spikatur dhe e respektuar në kishë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Anastasi i ndjerë lindi në Pire dhe që në rininë e tij u përkushtua me zemër në misionarizmin e brendshëm duke u mësuar mijëra të rinjve devocionin ndaj Perëndisë. Jeta e tij ishte një mrekulli e zotit, nëna e tij një grua me besim të patundur, refuzoi me vendosmëri këshillën e mjekëve për të kryer abort, pasi vuante nga turbekulozi dhe ata e konsideronin vdekjen të pashmangshme si për të ashtu dhe për fëmijën që mbante në bark. Dhe fatmirësisht që ndodhi kështu sepse fëmija që ajo solli në jetë u bë një burrë i shquar i cili sot pas 95 vitesh jetë të ndritur prehet këtu përpara nesh pasi përmbushi një mision të lavdishëm kishtar dhe njerëzor”, tha Bartolomeu.
Më tej, ai u shpreh se Anastasi kishte një dashuri të veçantë për dijen dhe u dallua si një studiues i shkëlqyer i shkencave religjioze duke i prezantuar botës ortodokse islamin, judaizmin, budizmin dhe besimet afrikane.
“Përmes kësaj pune ai kontribuoi fuqishëm në ndërtimin e një mirëkuptimi më të thellë me besimet e tjera që sot jetojnë pranë nesh dhe në kultivimin e marrëdhënieve të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit. Dashuria e tij e madhe ishte padyshim misionarizmi i jashtëm të cilit i kushtoi vitet më të bukura të rinisë së tij. Ai vendosi themele të forta, formoi kuadro të shquara në të gjitha nivelet e priftërisë dhe ngriti lartë emrin dhe imazhin e Patriarkanës së lartë të Aleksandrisë”, u shpreh Bartolomeu.
“Si drejtor i Shërbimit apostolik i Kishës së Greqisë ai ndërmori botimin e testeve patriarkike duke kontribuar në largimin nga ndikimet e huaja që mbizotëruan deri në vitet ‘60 dhe orientimin drejt frymës Autentike Ortodokse”, tha më tej Bartolomeu.
“Prania e tij në lëvizjen ekumenike dhe Këshillin Botëror të Kishave kishte gjithmonë një shije të fortë Ortodokse dhe Patriarke. Ai ishte gjithashtu shpirti i Organizatës Botërore të Lëvizjeve Ortodokse Rinore ku rreshtohej ndër themeluesit e saj duke ofruar në frymë të gjallë dhe mision për brezat e rinj”, nënvizoi.
Sipas tij, “kisha e Shqipërisë që nga shpallja e saj autoqefale ka përjetuar një histori të trazuar kryesisht për arsye politike, po tragjedia më e madhe e saj ndodhi kur regjimi ateist vendosi shfuqizimin e fesë duke persekutuar klerikët, duke i përjashtuar ata nga funksionet e tyre duke ndaluar çdo akt liturgjik he duke e kthyer kishën në një kishë të përndjekur”.
“Në vitin 1991, Patriarkana Ekumenike duke përmbushur detyrimin e saj për tu kujdesur për të gjitha Kishat në vështirësi, e thirri kryepeshkopin ndjerë Anastas dhe e dërgoi në Shqipëri për të vendosur themele të reja dhe për të sjellë mesazhin ringjalljes tek populli i vuajtur ortodoks i këtij vendi”, tha ai.
Më tej, Bartolomeu nënvizoi se pas një viti e gjysmë, ai kishte dëshmuar punë të shkëlqyera në ringjalljen e Kishës më 24 qershor 92 ai u zgjodh dhe u vendos Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë.
“Shërbesa e tij baritore nuk ishte pa furtuna, ai udhëhoqi kishën për rrugë të ngushta dhe nëpërmes sfidave të mëdha duke ecur shpesh herë në tehun e shpatës, megjithatë ai zotëronte hirin për të zgjeshur bashkëpunëtorët e duhur për të hapur shtigje aty ku duhej dhe ku duket se çdo rrugë aty ishte e mbyllur dhe për të gjetur burimet e nevojshme për të ringjallur kishën nga hiri”, tha Bartolomeu.
“Kishat, manastiret, shkollat seminaret teologjik dhe klerikal, spitalet dhe institucionet e tjera në shërbim të komunitetit janë vetëm disa nga arritjet e shumta të tij. Nga natyra ishte e ëmbël dhe i burë i durueshëm aty ku duhet por i patundur dhe i palëkundur aty ku interesi i kishës e kërkonte. Si diplomat me aftësi të rrallë ai dinte të lëmonte gjembat të shmangte konfliktet të shëronte plagët të formonte shpirtra dhe të ndërtonte kishën në përputhje më vullnetin hyjnor”, u shpreh më tej ai.
Bartolomeu theksoi se “do të kujtojmë përherë çdo gjë të bukur, çdo gjë të ndritur, çdo gjë të pëlqyeshme nga Perëndia, çdo gjë që kryepeshkopi ndjerë ndërtoi për kishën, i japim lavdi Zotit që i dhuroi Kishës së sotme një kryeprift të kalibrit të madh shpirtëror si Anastas Janullatus”.
Bartolomeu e përmbylli fjalën e tij duke nëvizuar se “Anastasi, si personalitet dhe si Kryepeshkop është padyshim i pazëvendësueshëm! Humbja e tij përbën një tronditje të thellë për Kishën lokale. Megjithatë, jemi të bindur se uratat e tij, së bashku me ndërmjetësimet e të gjithë shenjtorëve të Ilirisë, do të ndihmojë në zgjedhjen e pasardhësit më të denjë dhe të përshtatshëm për fronin e tij. Kisha mëmë, Patriarkana e Kostandinopojës, do ta përqafojë me dashuri Kryepeshkopin kushdo qoftë ai, dhe do të qëndrojë gjithmonë pranë tij, e gatshme për ta mbështetur në çdo nevojë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë”.