Dega e Partisë Demokratike në Elbasan po zhvillon këtë të dielë zgjedhjen e drejtuesit të ri të degës. Në garë janë 5 kandidatë, Lumturi Hasa, Durim Cekrezi, Elior Vila, Sokol Shkëlzeni si dhe Alis Narazani.
Por teksa kyproces shihet si vendimtar për të ardhmen e degës së Partisë Demokratike në Elbasan, në një moment kur forcat politike po përgatiten për sfidat e ardhshme elektorale, anëtarët po përballen me heqjen e emrit të tyre nga listat e anëtarësisë.
Një denoncim publik është bërë edhe nga Doris Madhi, aktualisht drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, duke thënë se është hequr pa asnjë njoftim nga lista e anëtarësisë.
“Vendimet merren në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo rregulli. Ky proces nuk është më demokratik,” u shpreh Madhi, duke shtuar se janë përjashtuar edhe figura të tjera nga strukturat e partisë.
Ajo e konfirmoi lajmin edhe për Report Tv, duke thënë se është hequr me propozim të degës atje, pasi ‘zërat si i saji rrezikon t’i prishë pazaret’.
Gjithashtu sipas burimeve nga lista është hequr edhe emri i Rudina Allës, kryetare e forumit demokrat të Gruas; Zheni Gjergjit, pasi ajo u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit, apo Alesia Balliut. Kjo e fundit ka shpallur publikisht ambicien për t’u regjistruar dhe për të kandiduar në garën për kreun e Partisë Demokratike, përballë Sali Berishës.
Kjo valë përjashtimesh vjen vetëm disa ditë pasi, PD përjashtoi si këshilltarë të saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun, pasi këto të fundit mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit.










