Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale sistemin e patronazhimit, duke paralajmëruar se PD do e shpalli krim shtetëror me ardhjen në pushtet.
Berisha u shpreh se Partia Demokratike do ta shqyrtojë me përparësi këtë çështje, me synimin edhe për të ndëshkuar të gjithë ata që janë përfshirë.
“Ju siguroj se patronazhimin dhe efektet e tij do t’i shqyrtojmë për ta shpallur krim shtetëror dhe për ta ndëshkuar në mënyrën më të merituar,” deklaroi ai.
Sipas tij, sistemi aktual i patronazhimit është i simotër me strukturat e survejimit gjatë regjimit komunist.
“Sistemi i patronazhimit sot është pa diskutim simotër apo vëlla i sistemit të Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës, Ju garantoj se për veprimtarinë e tyre kriminale do të ndëshkohen,” përfundoi Berisha.










