Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Petrit Vasili denoncoi tentativën e Edi Ramës për të fshirë nga Kodi Penal shpërdorimin e detyrës, duke e paraqitur si një akt mbrojtjeje të interesave të tij dhe të zyrtarëve që favorizohen nga qeveria.
Vasili e lidh këtë direkt me votimin historik të Parlamentit Europian më 26 mars, ku me shumicë dërrmuese u miratua direktiva e parë e BE-së kundër korrupsionit, që e vendos shpërdorimin e detyrës si vepër penale dhe i jep dënime të qarta shkelësve të funksioneve publike.
Vasili theksoi se alibitë e Ramës për “heqjen e nenit të mjegullt” bien në ujë dhe se Europa nuk toleron asnjë kompromis me korrupsionin.
Postimi:
Parlamenti Europian ka miratuar dje, më 26 mars, Direktivën e parë të BE-së kundër korrupsionit, e cila do të krijojë një kuadër të harmonizuar të së drejtës penale për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin. Parlamenti Europian votoi me një shumicë dërrmuese: 581 vota pro, 21 kundër dhe 42 abstenime.
“Jam jashtëzakonisht krenare për përpjekjet e bëra. Sot mesazhi ynë është i qartë: korrupsioni nuk ka vend në Evropë,” — tha Presidentja e PE-së, Roberta Metsola.
Lista e veprave penale përfshin një dispozitë mbi shpërdorimin e detyrës, të përcaktuar si “ushtrim i paligjshëm i funksioneve publike”, dhe u bën thirrje Shteteve Anëtare të miratojnë masat e nevojshme për të siguruar që “disa shkelje të rënda të ligjit që vijnë nga kryerja ose mosveprimi i një akti nga një zyrtar publik të përbëjnë një vepër penale”.
Ndërsa Edi Rama po kërkon të heqë nga Kodi Penal shpërdorimin e detyrës. Ja çfarë thoshte Rama pak javë më parë:
“Lufta kundër korrupsionit, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga ‘thesi i madh’, siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës, për të cilin sapo ka dalë edhe një direktivë e re e BE-së. BE iu kthye me kërkesë të Gjermanisë, jo vetëm të Italisë, që e kërkonte prej kohësh, dhe ka dalë një direktivë e re për të riparë këtë nocion.”
Edi Rama gënjeu, siç e ka zakon, sepse nuk kishte asnjë direktivë në kohën kur ai fliste. E kundërta ndodhi.
Direktiva e votuar dje në Parlamentin Europian e hedh poshtë Ramën dhe alibitë e tij për të mbrojtur korrupsionin e tij dhe të qeverisë. Italia, që Rama citon, duhet ta rifusë shpërdorimin e detyrës në legjislacion.
PERFUNDIM:
Europa nuk bën asnjë kompromis me korrupsionin, dhe direktiva e votuar dje është një provë dërrmuese. Edi Rama gënjeu sikur gjoja BE e hoqi shpërdorimin e detyrës. Ndryshimet e Kodit Penal nga Rama kanë qëllim vetëm që ai të mbrojë veten dhe zyrtarët që grabisin për llogari të tij. Tashmë ndryshimeve të Kodit Penal nga çirakët patronazhistë të Ramës u doli boja dhe u ra përtokë çdo alibi. Drejtësia të mos mbyllë më sytë përpara korrupsionit të Ramës, por të fillojë hetimin intensiv ndaj tij.









