Shërbimet e Policisë Kufitare në Borsh dhe Sarandë, kanë konstatuar në plazhin e Borshit, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin I. H., 49 vjeç, banues në Sarandë. Ky person nuk respektonte zonën e kufizuar për lëvizjen e mjeteve lundruese dhe nuk dispononte dokumentacionin përkatës në bord.
Nga shërbimet e Policisë Kufitare është bërë menjëherë shoqërimi dhe bllokimi i mjetit lundrues, në portin e Sarandës.
Në bazë të ligjit nr.43 të vitit 2020, neni 24/1/c, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi I. H. u ndëshkua me masën administrative 500.000 lekë të rinj, për mosrespektimin e zonës së kufizuar për mjetet lundruese. Gjithashtu, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2021, neni 14/1/b, ky shtetas u ndëshkua me masën administrative 10.000 lekë të rinj, për mungesë dokumentacioni (në bord).