Është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme, një nga themeluesit e muzikës shqiptare pianisti dhe kompozitori Kozma Lara.
Homazhet në nderim të tij do të mbahen ditën e sotme në hollin e Universitetit të Arteve nga ora 11.00-12.00.
Lajmin për vdekjen e tij në moshën 87 vjeçare e ka dhënë akademiku Vaso Tole, teksa ka ndarë me miq e të njohur lajmin e dhimbshëm.
Lara lindi më 1932 në Durrës dhe është autor i shumë krijimeve muzikore: kuartete, trio, romanca, rapsodi etj, si dhe ka krijuar shumë këngë për fëmijë.
Veprat e tij të para, filluan të dëgjoheshin në vitet ’60-të. Në 1965, u duartrokit simfonia, një vit më vonë, kompozoi muzikën e baletit “Fatosi partizan”, që u vu në skenë nga koreografi Panajot Kanaçi.
Ka qenë President i Shoqatës muzikore “Tonin Harapi”, i festivalit të përvitshëm të Romancës Shqiptare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe kompozitorëve të Shqipërisë.
Gjatë viteve ka kontribuar në Asamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë si Koncert Maestër dhe në Shkollën e Mesme të Muzikës Mujo Ulqinaku-Durrës.
“Kozma Lara u nda nga një jetë e tërë mbi tastierën ku shkroi vepra të vyera muzikore. I paharruar kujtimi”, ka shkruar Rama.