Pas një shkëputjeje prej të paktën dhjetë vitesh, kryeministri Edi Rama është takuar me ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë dhe mikun Koço Kokëdhima.
Mësohet se takimi mes kryeministrit dhe biznesmenit është mbajtur mbrëmjen e djeshme në ambientet e një restoranti te “Arena Kombëtare”.
Nuk dihet qëllimi i takimit dhe tematika e bisedimeve mes tyre, por të dy kanë darkuar në një ambient miqësor.
Në legjislaturën 2013-2017 Kokëdhima u zgjodh deputet për Partinë Socialiste në qarkun e Vlorës, por e humbi mandatin pas një vendimi të Kushtetueses, në vitin 2016.
Takimi vjen në një moment kyç të vendit dhe politikës, si dhe çështjeve të bujshme që po heton SPAK, veçanërisht ajo e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe AKSHI-t.
Marrëdhënia Rama–Kokëdhima ka qenë dikur jashtëzakonisht e ngushtë. Kryeministri e ka konsideruar publikisht Kokëdhimën si mentor politik dhe strategjik, ndërsa para zgjedhjeve të vitit 2013 ata ishin pothuajse të pandarë. Kokëdhima u pa si një nga arkitektët kryesorë të fitores së Partisë Socialiste, me ndikim të fortë në strategjinë elektorale dhe komunikimin politik.
Pas zgjedhjeve, raportet nisën të ftohen. Fillimisht u shfaqën fërkime të brendshme për mënyrën e drejtimit të partisë, rolin e biznesit në politikë dhe ndikimin e Kokëdhimës në vendimmarrje.
Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit Koço Kokëdhimës, një zhvillim që në atë kohë u lexua edhe si fundi përfundimtar i një kapitulli të përbashkët politik.










